Pacolli, pasnesër te PAN-i

AKR-ja e Behgjet Pacollit të enjten do t’i bashkohet koalicionit PAN, duke i mundësuar këtij të fundit që të njëjtën ditë ta zgjedhë Kadri Veselin kryeparlamentar. Edhe me këto “përforcime” koalicioni PAN s’do të mundë të formojë Qeveri stabile pasi që nuk do t’i ketë më shumë se 62 deputetë në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Lajme

22/08/2017 08:00

Koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) po i numëron ditët e fundit në këtë përbërje. Partia e Behgjet Pacollit (Aleanca për Kosovën e Re) edhe zyrtarisht të enjten (pasnesër) do t’i bashkëngjitet koalicionit PAN, duke i mundësuar këtij të fundit që në ditën kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit ta zgjedhë kryeparlamentar Kadri Veselin.

Megjithatë përkrahja që do t’i japë AKR-ja koalicionit PAN nuk do t’i ndihmojë këtij të fundit ta krijojë një qeveri stabile, e cila vështirë se do t’i ketë më shumë se 62 vota në Kuvend.

Kjo për faktin se nëse lideri i partisë, Pacolli, merr post në ekzekutiv në vend të tij në Kuvend do të ulet Imet Rrahmani nga LDK-ja, duke e lënë AKR-në me vetëm 3 deputetë.

Po ashtu nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, disa herë ka përsëritur se edhe nëse partia e tij i bashkohet PAN-it ai nuk do t’i votojë kandidatët e këtyre të fundit. Kështu që AKR-ja vështirë se mund t’ia sigurojë më shumë se dy vota koalicionit PAN në Kuvend.