Hykmete!
Nuk e kuptoj nga po të vjen gjithë ky guxim?! Prapë paske gënjyer se Deponia e Sverkës është nën menaxhimin e KMDK-së, përkatësisht ndërmarrjes publike që menaxhon disa deponi, por kurrsesi dhe asnjëherë Deponinë e Sverkës.
Seriozisht, kjo është për t’u brengosur! Madje, paske dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Qeverisë.
Rënia e vazhdueshme e fuqisë suaj politike në këto vitet e fundit ju ka bërë të mos shihni as para syve tuaj. Mbase edhe ky diell i rëndë ndikon; ashtu siç ndez zjarre në deponi të pamenaxhuara mirë, ndez zjarre edhe në fraksione të pamenaxhuara mirë.
Megjithatë, mbase ke bërë mirë që dorëzuar kallëzim penal. Por shpresoj Prokuroria fillon një hetim dhe ndoshta avokatët tuaj (se ti jo se jo), kur të thirresh si dëshmitare, më në fund ta ngulisin në kokë statusin e Deponisë së Sverkës!
Unë e di që ti, e rreshtuar në njërën nga këto fraksionet që po ju krijohen, të ka rënë fati i keq të jesh në rresht me Gazin (Muhaxherin), i cili ka shumicën e aksioneve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti”. Por, duhet ta dish se Gazi nuk mbrohet me bllofe, sepse rrena i ka këmbët e shkurtra.
Sa për ta ditur, meqë është e qartë se je shumë e zënë duke shpërndarë gënjeshtra: KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sverkës. Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit, të cilin po mundohesh ta mbrosh duke u bërë centrifuga e përgjegjësisë së tij.
Një gjë që ti thua është e vërtetë: Deponia e Sverkës nuk është trajtuar në bazë të standardeve, edhe përkundër faktit se KMDK e ka këshilluar kompaninë e Gazit për ndarjen e shtresave të mbeturinave me dhe apo materiale të tjera që nuk digjen.
Ama, është kjo nonshalanca që ju përcjell juve në çdo nivel dhe që nuk respekton asnjë standard, gjë që po shihet edhe në këto dy reagimet e tua.
Ju, Hykmete, sikurse LDK nuk dini çfarë është përgjegjësia, sepse karriera juaj është e mbështetur në viktimizim. Ju, pra, nuk i kryeni punët, sepse keni krijuar një alternativë ndaj punës: viktimizimin.
Gjithmonë ju ndodh kështu; edhe kur pësoni debakël politik kudo, dilni para opinionit për t’u viktimizuar, me shpresën që do të vazhdojë t’ju besojë dikush. Prandaj, Hykmete, jeni këtu ku jeni si subjekt politik, sepse mund të gënjesh dikë për një kohë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë, përherë.
Edhe një herë, po shpresoj fort që Prokuroria do ta ndjekë çështjen e Deponisë së Sverkës, e cila s’ka se si të mos të çojë në adresën e vetme që ka përgjegjësinë për këtë situatë: në LDK!
Pastaj, të ulemi së bashku e t’i hapim letrat, të shohim kush dhe pse gënjeu, për çfarë motivesh, por, çfarë është më e rëndësishmja, të shohim se kush është përgjegjës për këtë katastrofë ekologjike!
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për këtë situatë: Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5000 eurosh për KRM “Ambienti”, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve.
Në anën tjetër, KMDK-ja ka shkuar për ta asistuar kompaninë e Gazit, dhe e di si ka qenë situata, Hykmete!? Askush nga zyrtarët apo punëtorët e Gazit s’ka qenë në terren, qoftë edhe sa për ta monitoruar situatën! Sepse ju nuk punoni, Hykmete, veç viktimizoheni!