Pacolli: Në këto zgjedhje po hyjmë fuqishëm

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se kjo parti do të shënojë sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit. Ai ka thënë se lista e AKR-së në këto zgjedhje do të jetë e fuqishme me emra të shquar që do të japin kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit.

Lajme

12/05/2014 09:29

Pacolli ka thënë se kjo parti do të jetë pjesë e Qeverisë edhe në mandatin e ardhshëm. Ai ka thënë se AKR-në s’mund ta frikësojë asnjë sondazh që, sipas tij, ka tendenca për ta zhvlerësuar këtë subjekt politik para zgjedhjeve.

“Për AKR-në kalimi i pragut zgjedhor është i pakontestueshëm. Është një tendencë e sondazheve të qëllimshme të cilat kanë për synim ta frikësojnë AKR-në në mënyrë që të jetë pjesë e ndonjë liste të përbashkët”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se dy partitë e mëdha, PDK-ja e LDK-ja, kanë kërkuar që AKR-ja të jetë pjesë e listës së tyre të përbashkët.

Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se AKR-ja do të korrë sukses të jashtëzakonshëm.

“Aleanca Kosova e Re është mjaft mirë e përgatitur të garojë në zgjedhjet e 8 qershorit. Jemi duke punuar me strukturat e partisë në terren dhe së shpejti do të jetë e gatshme edhe lista e AKR-së me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, e cila do të jetë një listë e fuqishme, me emra të individëve të shquar, që do të japin kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Zotimi im dhe i AKR-së është çrrënjosja njëherë e përgjithmonë e korrupsionit. Po ashtu, do ta bëjmë reformimin e administratës publike dhe do të angazhojmë çdo potencial që të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë ai në “Epoka e re”.