Pacolli: Në Gjakovë fabrikë që prodhon për Volvo-n, punësohen 200 persona

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, e ka konfirmuar atë që një ditë më parë e bëri të ditur kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza-Kuasari Lila, se në këtë komunë do të hapet një fabrikë, e cila do të prodhojë mbulesa për markën suedeze të veturave, Volvo. 

Lajme

20/12/2014 19:10

Presidenti i AKR-së, edhe themelues i kompanisë Mabetex, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se kompania Intertex (anëtare e grupit Mabetex) dhe kompania TROX (furnizuese e ndërmarrjes VOLVO), kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e një fabrike në Gjakovë.

Fabrika do të prodhojë mbuloja të automobilave për mbrojtjen e tyre nga dëmet gjatë transportit (deri të blerësi).

“Në Gjakovë kompania Trox nga Goteborgu do të prodhojë mbulesat e autoveturave të Volvos. Fabrika do të ndërtohet në Gjakovë ku do të punësohen 200 vetë. 200 të punësuar, dmth 200 familje të shkëputura nga varfëria, dmth 200 kandidatë më pak për të ikur me autobusë në Hungari apo udhëve të botës”, ka shkruar Pacolli në një postim të tijin në Facebook.

Tutje, ai ka bërë të ditur se ky investim i ri në Gjakovë ka dhe shumë domethënie të tjera, pasi kjo fabrikë sipas tij, ka qenë një investim që realizohej më parë në Ukrainë, ndërsa tash bëhet në Kosovë.

“Është një shembull i mirë që pason mbas kompleksit të kërpudhave që është duke u ndërtuar në Mitrovicë, pas shumë pengesave (të qellimshme të atyre që nuk e dojnë Kosovën). Ka shumë investime të tjera që mund të zhvendosen drejt Kosovës për një arsye apo për një arsye tjetër. Por që të ndodhë kjo duhen plotësuar disa parakushte”.

“Së pari, duhet një administratë komunale si ajo e Gjakovës dhe e Mitrovicës e qeverisur me transparencë, ndershmëri dhe profesionalizëm që të frymëzojë besim tek partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë. Dhe prova e radhës, e prekshme e këtij besimi ishte pikërisht kontrata e firmosur në Göteborg. Përgëzime kryetares Mimoza Kusari Lila, që Gjakova po përfshihët në hartën botërore të investimeve, pothuajse, pa ndihmën e qeverisë, megjithëse do të mund të ishte ndryshe, do duhej të ishte ndryshe. Këtu kryetarja ka shërbyer si garantuese e një investimi kaq të rëndësishëm nga pikëpamja simbolike me punën e vet, me diturinë e vet. Gjakova me në krye Mimozën do të vazhdojë ta bëjë këtë brenda mundësive dhe hapësirës ligjore që ekziston”.

“Së dyti, kjo që ndodhi në Göteborg ka patur nevojë për një shtysë fillestare, për një “mesit”, për një nxitës apo promotor. Ata janë Naim Murseli dhe Visar Jaha prej Gjakove, që jetojn në Suedi dhe që e dojnë Gjakovën, e dojnë Kosovën, e dojnë Suedinë, atdheun e tyre të dytë. Me shumë përkushtim, këmbëngulje ata ndihmuan në realizimin e kësaj marrëveshje . Unë i falënderojë nga zemra Naimin dhe Visarin dhe do dëshiroja shumë qe ne të kemi edhe shumë të rinj dhe të reja në rolin e ambasadorëve jozyrtarë të Kosovës në diasporë që angazhohen për ta ndihmuar vendin e tyre, kombin e tyre”, ka shkruar ndër të tjera ish zv.kryeministri Pacolli. (lajmi.net)