Pacolli: Lobimi im për Kosovën e ndihmoi anëtarësimin në UNESCO

Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se shpërblim për lobimin e tij në vendet nga të gjitha kontinentet e botës, është përkrahja e tyre për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, proces të cilin ai po e konsideron vetëm formalitet.

Lajme

12/09/2015 21:57

“Kosova është në rrugë të mirë për të shënuar edhe një sukses në procesin e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetësisë. Sponsorizuesit kryesorë të pranimit të Kosovës në UNESCO, (Unë besoj qe tanimë pranimi në UNESCO do të jetë vetëm çështje formaliteti), krahas miqve tanë të mëdhenj, SHBA dhe vendeve mike të BE, ishin edhe shumë vende nga të gjitha kontinentet e botës, në të cilat për një kohë të gjatë kam zhvilluar aktivitet të ngjeshur diplomatik. Me shumë prej tyre edhe kam arritur suksesin e njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike”.

Pacolli këtë e ka thënë në profilin e tij në Facebook, ku po ashtu është shprehur se lobimi i tij që kritikohej e minimizohej nga analistët e opinionistët, i ka kushtuar shumë atij.

“Shumë nga oponentët e mi politik më kritikonin për këtë angazhim. Më kritikonin edhe opinionistë dhe analistë të ndryshëm. Përveç se më kritikonin, shpeshherë kishte edhe tendenca ta minimizonin këtë angazhim timin, madje duke ironizuar me Afrikën dhe njohjet që vinin nga ky kontinent”.

“Ky angazhim, përveç lodhjes së madhe fizike dhe psikike, (Serbia në anën tjetër me çdo kusht angazhohej kundër këtij aktiviteti) barte edhe kosto të madhe financiare të cilën normalisht e paguaja nga fondet e mia personale”, ka shkruar Pacolli në Facebook.