Pacientët e alivanosur barten në shpinë shkallëve deri tek mjeku

Të sëmurët të cilët shkojnë për ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, duhet të ngjiten shkallëve vetë, apo me ndihmën e familjarëve, e në disa raste edhe duke i bartur me duar deri tek mjeku në katin e dytë.

Lajme

29/08/2014 12:03

Meqë një qendër mjekësore duhet t’i ketë mjetet e nevojshme elementare teknike, me sa shihet QKMF-së i mungojnë këto.

Në këtë qendër gjendet një karrocë e cila ka raste kur nuk shfrytëzohet dhe as që dihet ku ndodhet. Ashensori i mungon këtij institucioni.

Mungojnë edhe mjetet elementare për të bartur pacientët nga oborri për në qendër e brenda saj.

Autoritetet e QKMF-së mohojnë faktin se në këtë qendër nuk ka as karrige për t’i bartur të sëmurët që janë në gjendje më të rëndë e që fillimisht kërkojnë ndihmë aty.

Por, qytetarja e Prishtinës A.X. është dërguar e alivanosur në këtë qendër dhe familjarët e saj e kanë bartur para duarsh deri në katin e dytë.

“Është dashur të më bartin shkallëve para duarsh sepse ashensori mungonte”, ka thënë ajo për gazetën Tribuna.