Pa kurrëfarë transparence, Ministria e Tregtisë nuk lë hapësirë për ankesë në aplikimin e bizneseve për “EXPO Dubai”

Nga të paktat mundësi që ka shteti i Kosovës për përfaqësim jashtë vendit, si dhe prezantimin e asaj çfarë posedon si shtet është “EXPO Dubai”.

Lajme

24/11/2021 20:23

Pavarësisht rëndësisë së “EXPO Dubai 2020” si dhe promovimit të bizneseve kosovare dhe tërheqjes sa më të madhe të vizitorëve, Ministria e Tregtisë u shfaqi paksa telashe atyre që deshën të aplikonin.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Ministria e Tregtisë i njoftoi me vonesë bizneset kosovare për të aplikuar që të bëhen pjesë e “EXPO Dubai 2020”.

Duke ditur se shtetasit e Kosovës nuk posedojnë viza dhe procedura për t’u pajisur me to merr mjaftë kohë, Ministria e Tregtisë nuk i njoftoi bizneset në kohën kur edhe duhej, duke shtuar këtu edhe kohën shtesë që u duhej për dokumentacionet e biznesit përkatës.

Në njoftimin e hapur të Ministrisë së Tregtisë u saktësua se aplikimi është hapur me 5 nëntor e zgjati vetëm një javë.

Pa marrë parasysh këtë, disa nga bizneset aplikuan për t’u bërë pjesë e “EXPO Dubai 2020”, apo një nga organizimet më të mëdha botërore në botën e bizneseve dhe promovimeve të shteteve anembanë botës.

Mundësia për të promovuar potencialet që ofron Kosova për investime në të gjitha sektorët, por edhe vetë promovimin ndërkombëtarë të shtetit tonë nuk iu mundësua të gjithë atyre që tentuan ta arrinin.

Madje disa prej bizneseve të hotelerisë hasën në probleme të ngjashme si “mungesë e një dokumenti” dhe mos pritje për një ditë më tepër.

Një nga hotelet më të frekuentuara në Prishtinë, apo saktësisht në dalje të saj ka bërë të ditur për lajmi.net se atyre iu pranuan dokumentat, por më pas të njëjtit nuk u njoftuan fare nëse u duhet diçka shtesë apo se çfarë duhet vepruar më tutje.

Duke mos përfunduar me kaq, lajmi.net mëson se Ministria e Tregtisë në aplikimin e bizneseve për “EXPO Dubai” nuk la hapësirë as për ankesa.

Madje një gjë e tillë shihet qartë edhe në dokumentet e siguruara nga mediumi.

E për këtë janë deklaruar edhe nga njëri prej hoteleve kosovare por me brend ndërkombëtar, emër i njohur për redaksinë.

“Ne jemi hoteli i parë ndërkombëtarë më rrjet internacional na kemi shpresu që ministria ka me bo shumëçka me na paraqit neve në ‘EXPO Dubai’, që është brend ndërkombëtarë, e turistët kushdo që e kish pa hotelin po ish afru se është mark që e njohin. Ne i bëmë dokumentat i kemi dorëzu edhe koha ka qenë shumë e shkurtër është dashtë me i realizuar të gjitha edhe në ATK e me i kompletu dokumentat formale edhe i kemi dorëzu. Ne kemi pas vetëm një ditë vonesë, por pjesën kryesore të dokumenteve e kemi pas atë ditë edhe kemi bo kërkesë që vetëm njëri prej dokumenteve që lëshohej nga ATK del një ditë me vonesë.. pra i kemi përmbyllë ato krejt ligjërisht”, ka thënë menaxheri i njërit prej hoteleve i cili ka dashur që të mbetet anonim.

Poashtu ai theksoi se pavarësisht se i dorëzuan dokumentet, ata nuk u njoftuan më pas asgjë lidhur me procesin apo se cili është vendimi e kush është pranuar.

“I kemi marrë të gjitha dokumentat edhe kaloj një ditë, dy ditë, edhe nuk është se më lajmëruan hajt hyna në ueb-site spat naj shpallje, veç kur e pash që e kishin publiku listën e përfituesve edhe shumë u çudita e kemi thirr Unionin e Turizmit se jemi pjesë e saj e vetëm na spjegun që i kishin zgjedh.Po personalisht nuk na kanë lajmëru, pra nëse ne s’ishim interesu kurrë se kisha marrë vesh se janë shpallë fituesit.. e ma e keqja se qaq jemi treg i vogël me mungu kanë mujt me thënë se qe një dokument se keni ose s’jeni pranu për shkak të kësaj-kësaj. Me një sistem transparent na kish ndihmu krejt neve, por s’kanë qenë aspak transparent”, theksoi ai.

Duke mos përfunduar me kaq në shpalljen e ministrisë theksohen vetëm kriteret që kanë të bëjnë me aplikimin, dokumentet e nevojshme për aplikim, si dhe mënyra se si do të ndahen kriteret e veçanta në kuadër të subjekteve pjesëmarrëse.

“Subjektet të cilat shprehin interesim të aplikojnë për pjesëmarrje në ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2020 në Dubai duhet plotësuar aplikacionin dhe ta dërgojnë më së largu deri më 12 nëntor 2021, në ora 16:00. Në momentin e aplikimit subjekti pranon të gjitha përgjegjësitë, obligimet kriteret dhe detyrat e parapara me legjislacionin në fuqi dhe kriteret e veçanta të parapara në këtë thirrje publike”, u tha ndër të tjerash në kuadër të aplikimit nga ministria.

Por askund ministria nuk vendosi hapësirën për ankesë të bizneseve, gjë kjo e cila ka ngritur shqetësim tek shumë prej bizneseve e për këtë ka pasur ankesa të shumta në drejtim të ministrisë për mos-vendosjen e kësaj hapësire.

“Të gjitha bizneset që nuk përzgjidhen kanë të drejtën e pjesëmarrjes me shpenzime vetanake, në koordinim të plotë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, theksohej nga Ministria e Tregtisë.

Pavarësisht se për disa ditë me radhë lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje konkrete nga ministria, një gjë e tillë nuk është arritur.

Në heshtje të plotë për këtë çështje, nga Ministria e Tregtisë kanë vendosur që vetëm të publikojnë një video nga thirrja e ministres përkatëse, Rozeta Hajdari lidhur me aplikimin e bizneseve kosovare, si mundësi e “artë” në kuadër të “EXPO Dubai 2020”.

Më 17 të këtij muaji është bërë e ditur edhe lista e kompanive përfituese për pjesëmarrje në këtë organizim nga tematika e Hotelerisë.

Bizneset që fituan janë:

Villa Lura

Brezovica Hotel SPA

Hotel Galla

Emerald Hotel

Hotel AFA

Hotel Sirius, por jo edhe disa nga hotelet të cilat as nuk u lajmëruan për këtë situatë.

E pamundësia për ankesë bëri që hotelet në fjalë të irritohen me vendimet e ministrisë, teksa kanë parasysh rëndësinë që ka “EXPO Dubai 2020”.

Mbi 190 shtete nga bota do të marrin pjesë, kurse pritet të jenë gjithsej 25 milionë vizitorë deri në muajin mars.

E përpos hotelerive, pamundësia për ankesë po i bëhet edhe gjatë kësaj jave kur tematika e aplikimeve ka qenë “Industria”.

Siç ka marrë vesh lajmi.net, edhe aplikuesve nga sektori i industrisë i është pamundësuar ankesa sa i përket aplikimit në ‘EXPO Dubai’.

Duke parë nga afër të gjitha telashet që po u shfaqen këtyre bizneseve nga vetë institucionet kosovare, shihet qartë se sa mundësi po u ofrohen bizneseve vendore që të zgjerojnë funksionimin e tyre dhe të tërheqin njerëzit e huaj që të shohin nga afër punën të cilën e bëjnë. Kësisoj vetë ngecja e punës po bëhet pikërisht nga institucionet qeverisëse të shtetit të Kosovës./Lajmi.net/