Pa frikë me mua

Mimoza Kusari-Lila thotë se qytetarët e Gjakovës nuk do të kenë frikë për rend e ligj, nëse ajo zgjidhjet Kryetare e Komunës.

Lajme

26/11/2013 12:21

Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se gjakovarët nuk do të kenë frikë për rend e ligj dhe nuk do të kenë frikë për investime, nëse ajo do të marrë pushtetin për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në Gjakovë.

Kandidatja e AKR’së për Gjakovën, gjatë një takimi që ka pasur me banorët e Bashkësisë Lokale 7 dhe 8, i ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht për të votuar, në mënyrë që, siç është shprehur ajo, ta vulosin fitoren dhe ndryshimin për Gjakovën.

“AKR në Gjakovë nuk ka bërë koalicion zyrtar me asnjërën nga subjektet politike, por koalicionin e kemi bërë me votuesit të cilët nuk duan të kthehen pas dhe të vazhdojnë me këtë keqeverisje, por e duan ndryshimin dhe të ardhmen e zhvilluar”.

Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk do të jetë Kryetare e vetëm 5 personave, ashtu siç nuk do jetë Kryetare e cila do asfaltojë rrugë të përgjysmuara në bazë të elektoratit. Kështu, ajo ka thumbuar Kandidatin e AAK’së dhe Kryetarin aktual të Gjakovës, Pal Lekajn, me të cilin do të përballet në garën e balotazhit me 1 dhjetor.

“Unë do jem Kryetare për të gjithë banorët e Komunës së Gjakovës dhe do angazhohem njëjtë, pavarësisht se kush më ka votuar”.

Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, ndërkaq, duke konstatuar se në Gjakovë mbizotëron një depresion dhe një gjendje jo e mirë, ka kërkuar që të mbështeten vizionet dhe projektet e AKR’së.

Sipas tij, Gjakova do bëhet shembull për zhvillim në mbarë Kosovën.

“Mimoza Kusari-Lila do punojë me dinjitet për ju dhe ajo do të jetë kryeshërbëtorja juaj. Ajo në Gjakovë konkurron me projekte të ekzekutueshme, e jo duarthatë, në mënyrë që Gjakovës t’ia kthejë dinjitetin, punën  dhe zhvillimin”.