Pa filluar ende, “Big Brother Albania” lançon një sfidë (Video)
Rikthimi i reality show “Big Brother Albania” në ekranin e Top Channel pas dy vitesh mungesë është diskutuar gjatë në mediat shqiptare. Të gjithë janë kuriozë për formulën e re, për konkurrentët, idenë e lojës por edhe opinionistin i cili do të ulet në kolltukun e famshëm për të komentuar ngjarjet më dinamike të javës.

ShowBiz
Shtëpia e “Big Brother” është konsideruar gjithnjë si shtëpia më e famshme në Shqipëri dhe kurioziteti për të zbuluar pamjen, arredimin dhe madhësinë e saj sa vjen dhe shtohet me afrimin e puntatës së parë. Kjo është një sfidë që na mbetet ta zbulojmë më 18 mars. Burime për Blitz.al kanë treguar se këtë vit gjithçka do të jetë e kuruar në çdo detaj. Këtë vit “Big Brother” është fiksuar me bukurinë, qoftë për shtëpinë, qoftë për konkurrentët, pra BB9 bukurinë do ta këtë kryefjalë.
Edhe 16 ditë na ndajnë nga nata e parë e edicionit të 9-të të këtij reality show. Në faqen zyrtare të këtij programi në web jemi prezantuar me stafin, i cili do të punojë 24 orë në 24 për 100 ditë me radhë. Në spotin e publikuar ata shfaqen të veshur seriozë, në një ambient luksoz, rrethuar nga fotografë dhe aparate të cilat fiksojnë çdo moment. Në një moment në fund ata shfaqen duke ngrënë sushi, gjë që, në një farë mënyre, na bën të mendojmë se ky “Big Brother” do të jetë ndryshe nga të tjerët jo vetëm në ide, por ndoshta edhe ushqim.

Në një tjetër spot, produksioni ka lançuar sfidën “Çfarë është çifti për ty?”, një pyetje e cila shoqërohet gjithnjë nga hashtagu #vendpërdy.

Një gjë është e sigurt: në këtë edicion do të kemi shumë çifte, qoftë të dashuruar jashtë shtëpisë, por edhe brenda saj. Ky “Big Brother” do të na rezervojë shumë surpriza, na duhet të presim mbrëmjen e së shtunës së 18 marsit./Blitz.al/