Pa BDI-në s’ka qeveri
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka thënë se BDI-ja kësaj radhe ka arritur rezultate të mëdha, pasi ka fituar katër mandate më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Lajme
Ali Ahmeti ka thënë se subjekti i tij politik në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni ka shënuar një nga fitoret më të mëdha në historinë e saj që nga formimi si subjekt politik i dalë pas konfliktit të vitit 2001, shkruan “Epoka e re”.
“BDI-ja ka fituar katër mandate më shumë se në zgjedhjet e kaluara kundër oponentëve të partisë sonë. Fjala është për PDSH-në dhe RDK-në. Pra, kemi fituar 19 mandate dhe për më pak se 500 vota kemi mbetur pa fituar mandatin e 20”.
“Kësaj radhe fitorja e BDI-së është historike”, ka deklaruar ai.
Ahmeti ka bërë me dije se si forcë e parë politike shqiptare do të fillojnë konsultimet me partinë fituese të zgjedhjeve për të qenë pjesë e qeverisë së re. Duke folur për mundësinë e një koalicioni qeverisës ashtu siç e ka paralajmëruar para zgjedhjeve Menduh Thaçi në mes të PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së, Ahmeti ka thënë se fituese e zgjedhjeve ndër shqiptarë është BDI-ja.
“Fitues të zgjedhjeve ndër shqiptarë jemi ne dhe nuk mund të ndodhë një qeveri e tillë, sepse më pastaj do të ketë destabilitet të Maqedonisë”, ka thënë ai në “Epoka e re”.