OVL-UÇK uron Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë: “Në zemrën tonë jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës”

Sot, më 4 Korrik 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 249-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar. Me këtë rast, shumë institucione dhe organizata në Kosovë kanë shprehur urimet e tyre për popullin amerikan, ndër to edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK). Përmes një deklarate publike,…

Lajme

04/07/2025 09:18

Sot, më 4 Korrik 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 249-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar. Me këtë rast, shumë institucione dhe organizata në Kosovë kanë shprehur urimet e tyre për popullin amerikan, ndër to edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Përmes një deklarate publike, OVL-UÇK ka përcjellë urimet e saj për këtë ditë të veçantë, duke theksuar lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme që ekziston ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, transmeton lajmi.net

“Në këtë ditë të shënuar për miqtë tanë të përhershëm, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpreh urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e përjetshme për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në vazhdim të deklaratës, OVL-UÇK rikujton ndihmën e pakursyer të SHBA-së në momentet më vendimtare për Kosovën:

“Populli amerikan ka qenë gjithmonë përkrah nesh në momentet më të rënda historike. Mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe shtetësisë, dhe roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm për Kosovën”, thotë OVL-UÇK, mes tjerash.

Organizata e veteranëve e cilëson 4 Korrikun si një ditë të veçantë, duke shprehur falënderim edhe për trupat amerikane që shërbejnë aktualisht në Kosovë:

“U shprehim mirënjohje të veçantë edhe ushtarëve amerikanë që shërbejnë sot në Kosovë, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të përditshëm për paqe dhe siguri”.

Në përmbyllje, veteranët e UÇK-së theksojnë lidhjen shpirtërore me SHBA-në, duke u shprehur të gatshëm që të qëndrojnë përkrah saj sa herë që kërkohet:

“Ne, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi gjithmonë ushtarë të lirisë, dhe në zemrën tonë, jemi gjithmonë ushtarë të Amerikës. Kurdo që nevoja e drejtësisë, paqes apo miqësisë së sinqertë e kërkon, jemi të gatshëm të qëndrojmë përkrah ShBA-së”.

“Zoti e bekoftë Amerikën! Gëzuar 4 Korrikun”, përfundon urimi i OVL-UÇK-së./lajmi.net/