OVL-UÇK reagon për arrestimin e Osman Selmanit: Nuk figuron si veteran i UÇK-së, institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe, duke dënuar veprimin dhe duke mohuar çdo lidhje të tij me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK thekson se Selmani nuk figuron në regjistrat zyrtarë të organizatës si veteran i luftës,…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe, duke dënuar veprimin dhe duke mohuar çdo lidhje të tij me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK thekson se Selmani nuk figuron në regjistrat zyrtarë të organizatës si veteran i luftës, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet që e lidhin atë me UÇK-në, transmeton lajmi.net.
“Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së. Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër”, thuhet në reagimin e organizatës.
OVL-UÇK ka dënuar arrestimin e Selmanit nga autoritetet serbe dhe ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për mbrojtjen e tij.
“Kërkojmë që institucionet e Kosovës të veprojnë pa vonesë. Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore, dhe Republika e Kosovës ka edhe detyrimin për ta ofruar atë”, thuhet në deklaratë.
Osman Selmani u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, teksa po hynte në Serbi. Autoritetet serbe e dyshojnë për krime lufte, duke pretenduar se më 14 qershor 1999 ka marrë pjesë në vrasjen e çiftit serb Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq në lagjen Sofali të Prishtinës. Ndaj tij, Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa familja e tij i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara./lajmi.net/