OVL-UÇK reagon ashpër ndaj fyerjeve ndaj Ramush Haradinaj dhe familjes së tij
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Pejë, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve të bëra publikisht ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe familjes së tij, përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale. Në reagimin e saj, OVL-UÇK vlerëson se këto deklarata tejkalojnë çdo kufi të…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Pejë, ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve të bëra publikisht ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dhe familjes së tij, përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK vlerëson se këto deklarata tejkalojnë çdo kufi të pranueshëm njerëzor, duke i cilësuar jo vetëm si sulme personale, por si goditje të drejtpërdrejta ndaj figurave që, sipas tyre, përfaqësojnë sakrificën, qëndresën dhe idealin e lirisë në Kosovë.
“Ramush Haradinaj është prej heronjve të gjallë të këtij vendi, ndërsa familja e tij përfaqëson një shtyllë të fortë vlerash kombëtare, të ndërtuara mbi nderin, guximin dhe përkushtimin ndaj atdheut.”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK thekson se gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse nuk janë të rastësishme, por, sipas tyre, janë kultivuar ndër vite nga diskursi politik, duke krijuar një klimë të tensionuar dhe të papranueshme në shoqëri.
Tutje, organizata kritikon institucionet për mungesë reagimi, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të interpretohet si legjitimim i fyerjeve dhe sulmeve ndaj figurave të luftës.
“Kur përçarja përdoret si mjet politik dhe gjuha e urrejtjes tolerohet apo edhe stimulohet, atëherë degradimi bëhet normë. Përderisa pushteti nuk reagon, ai legjitimon çdo fyerje që synon të poshtërojë ata që mbajtën barrën më të rëndë të Luftës Çlirimtare. Kjo nuk është rastësi. Inati dhe ndasia kanë zënë vendin e unitetit kombëtar.”, theksohet më tej, transmeton kosovapress.
OVL-UÇK, dega në Pejë, i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet maksimal rastin dhe të ndërmarrin masa ligjore ndaj personit përgjegjës, duke përfshirë edhe paraburgimin.
Sipas tyre, çdo lehtësim i mundshëm do të ishte goditje për rendin publik dhe fyerje shtesë për dinjitetin e familjes së sulmuar.
“Ata që përdhosin emrat e lidhur me çlirimin nuk duhet të presin mirëkuptim apo mëshirë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.