OVL-UÇK reagon ashpër ndaj artikullit për Sahit Jasharin: Sulm ndaj dinjitetit të luftëtarëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga gazetari Vudi Xhymshiti, duke e cilësuar atë si sulm ndaj dinjitetit të ish-luftëtarit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari, në kohën kur ai po përcillej për në banesën e fundit. Në një reagim publik, OVL-UÇK theksoi se publikimi…

Lajme

22/06/2026 18:06

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga gazetari Vudi Xhymshiti, duke e cilësuar atë si sulm ndaj dinjitetit të ish-luftëtarit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari, në kohën kur ai po përcillej për në banesën e fundit.

Në një reagim publik, OVL-UÇK theksoi se publikimi i akuzave ndaj një luftëtari të lirisë në momentet e ceremonisë mortore nuk përbën gazetari të guximshme, por, sipas tyre, “mizori”.

Organizata nënvizoi se pretendimet nuk mund të trajtohen si fakte apo aktgjykime pa prova dhe pa vendime gjyqësore, duke shtuar se personat e ndjerë nuk kanë mundësi të mbrohen apo të japin versionin e tyre të ngjarjeve.

OVL-UÇK deklaroi se mbështet lirinë e shprehjes dhe të medias, por kundërshton përdorimin e saj për, siç thuhet në reagim, cenimin e figurës dhe dinjitetit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas organizatës, lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri, shtetësi dhe mbijetesën e popullit të Kosovës.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK kërkoi që debatet publike të mbështeten në fakte të verifikuara dhe respekt ndaj së vërtetës historike, duke paralajmëruar se do t’i kundërshtojë publikisht të gjitha akuzat që, sipas saj, bëhen pa prova ndaj luftëtarëve të UÇK-së.

“Kushdo që sulmon pa prova nderin e luftëtarëve tanë, do të përballet me kundërshtimin tonë të hapur e të palëkundur”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.