OVL-UÇK: Raporti i organizatës britanike, rikonfirmim i shkeljeve të të drejtave themelore në Hagë
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së sërish ngre zërin kundër shkeljeve në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, kësaj here duke iu referuar edhe raportit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, e cila shfaqi shqetësim për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializura. Sipas Organizatës së…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së sërish ngre zërin kundër shkeljeve në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, kësaj here duke iu referuar edhe raportit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, e cila shfaqi shqetësim për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializura.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ky raport përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.
“OVL UÇK rikujton se përpjekjet tona të pandërprera ndër vite, përmes qindra letrave drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takimeve me ambasadorë të shteteve mike, takime me personalitete të rëndësishme ndërkombëtare, takimeve në Parlamentin Evropian dhe në Parlamentin e Zvicrës, takimit në Vatikan, si dhe përmes protestave kombëtare si dhe në qendra evropiane dhe së fundmi edhe përmes peticionit qytetar, kanë pasur një qëllim të vetëm: ngritjen e zërit kundër padrejtësive dhe shkeljeve që po ndodhin në proceset ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Shqetësimet tona të vazhdueshme, të ngritura me këmbëngulje në çdo forum të mundshëm, sot po gjejnë jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Raporti i fundit i publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngre shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializuara, përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.
OVL UÇK vlerëson se ky zhvillim është një moment i rëndësishëm për ndërgjegjësimin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe trajtimin e padrejtë ndaj çlirimtarëve. Drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të ndërtojnë besim dhe as të sjellin drejtësi të vërtetë.
I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë angazhimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të bashkëluftëtarëve tanë, duke mos u ndalur përballë asnjë padrejtësie”, thuhet në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.