OVL-UÇK paralajmëron ofensivë diplomatike kundër Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se do ta fokusojë veprimtarinë e saj në rrafshin diplomatik dhe institucional në lidhje me Gjykatën Speciale, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator. Në një njoftim…

Lajme

25/08/2026 14:32

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se do ta fokusojë veprimtarinë e saj në rrafshin diplomatik dhe institucional në lidhje me Gjykatën Speciale, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator.

Në një njoftim për opinionin publik, OVL-UÇK ka bërë të ditur se gjatë periudhës së fundit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh kundër, siç i ka cilësuar, padrejtësive që po zhvillohen në Gjykatën Speciale. Sipas organizatës, janë dërguar rreth 300 letra te personalitete ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë 285 letra drejtuar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

OVL-UÇK ka deklaruar gjithashtu se ka zhvilluar takime me shumicën e ambasadorëve të vendeve mike të akredituar në Kosovë, si dhe me kryetarët e partive politike, me përjashtim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Organizata përmend edhe takime në Parlamentin e Zvicrës, Parlamentin Evropian dhe Vatikan, si dhe takimin me kryetaren e Veteranëve të SHBA-së, Carol Whitmore.

Në kuadër të aktiviteteve të saj, OVL-UÇK ka përmendur edhe një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime, të dorëzuar në Gjykatën Speciale më 6 maj 2026, si dhe protesta e aksione simbolike në Kosovë dhe jashtë saj. Organizata ka thënë se do të mbështesë edhe aktivitetet që do të zhvillohen në ditët në vijim, përfshirë protestën e paralajmëruar për 12 shtator.

Sipas OVL-UÇK-së, vendimi për fokusimin në diplomaci është marrë për shkak të bindjes së saj se Gjykata Speciale është “gjykatë politike” dhe se proceset e saj vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht. Organizata ka shprehur shqetësimin se mund të merret një vendim me karakter politik dhe për këtë arsye ka vendosur që veprimtarinë ta përqendrojë në rrafshin diplomatik dhe institucional.

Në të njëjtën mbledhje, Kryesia e OVL-UÇK-së ka marrë vendim për përjashtimin e anëtarit Skënder Llugiqi nga organizata. Sipas njoftimit, vendimi është marrë për shkak të deklaratave të tij publike kundër gjeneralit Ramush Haradinaj, të cilat Kryesia i ka vlerësuar si shkelje të Statutit të OVL-UÇK-së.

Njoftimi i plotë: 

NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Siç e dini, Kryesia e OVL-UÇK-së, e dalë nga Kuvendi i 5-të, i mbajtur në janar të vitit 2025, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh kundër padrejtësive që po zhvillohen në Gjykatën Speciale.
Më poshtë po paraqesim disa nga aktivitetet e zhvilluara dhe letrat e dërguara nga OVL-UÇK-ja drejt institucioneve dhe personaliteteve ndërkombëtare dhe vendore në lidhje me Gjykatën Speciale:
Janë adresuar rreth 300 letra personaliteteve të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat 285 letra u janë adresuar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kemi takuar shumicën e ambasadorëve të vendeve mike që janë të akredituar në Kosovë.
Kemi takuar të gjithë kryetarët e partive politike në Kosovë, me përjashtim të kryetarit të LVV-së.
Takime me përfaqësues ndërkombëtarë
• Takim në Parlamentin e Zvicrës.
• Takim në Parlamentin Evropian.
• Takim në Vatikan.
• Takim me Kryetaren e Veteranëve të SHBA-së, znj. Carol Whitmore.
Peticioni:
Është organizuar një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime, i cili është dorëzuar në Gjykatën Speciale më 6 maj 2026.
Protestat dhe aksionet
• Është organizuar një aksion simbolik lidhur me vizitën në Kosovë të kryetares së trupit gjykues, Ekaterina Trëndafilova.
• Është mbajtur protestë më 7 gusht në Prishtinë.
• Është mbajtur protestë më 14 shtator në Hagë.
• Është mbajtur protestë më 17 tetor në Tiranë.
• Është mbajtur aksion simbolik para zyrave të EULEX-it më 5 nëntor, me rastin e shënimit të 5 viteve të paraburgimit.
• Është mbajtur protestë më 16 nëntor në Strasburg.
• Është mbajtur protestë më 13 dhjetor në Maqedoni.
• Është mbështetur protesta e mbajtur në Kroaci më 5 korrik 2026.
Duke qenë se në ditët në vijim janë bërë publike disa aktivitete me qëllim të sensibilizimit qytetar, si dhe protesta e radhës, e cila do të mbahet më 12 shtator, ne, si OVL-UÇK, kemi marrë sot, në mbledhjen e Kryesisë, vendim që aktivitetin tonë ta fokusojmë në rrafshin diplomatik dhe institucional. Po ashtu, do të jemi pjesëmarrës në aktivitetet e tjera që do të organizohen deri më 16 shtator.
1. Ky vendim është marrë duke u bazuar në qëndrimin tonë të pandryshuar që nga themelimi i Gjykatës Speciale, pasi kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të bindur se ajo është një gjykatë politike dhe se proceset e saj vazhdojnë të jenë të ndikuara politikisht. Për këtë arsye, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe mundësinë e një vendimi me karakter politik, ne do ta fokusojmë veprimtarinë tonë në rrafshin diplomatik dhe institucional.
2. Po ashtu, sot Kryesia ka marrë vendim, bazuar në Statutin e OVL-UÇK-së, për përjashtimin e anëtarit të kësaj organizate, Skënder Llugiqi. Ky vendim është marrë për shkak të deklaratave të tij publike kundër gjeneralit Ramush Haradinaj, të cilat, sipas vlerësimit të Kryesisë, përbëjnë shkelje të Statutit të OVL-UÇK-së./lajmi.net/