OVL-UÇK mirëpret pafajësinë e Sami Lushtakut dhe të bashkëluftëtarëve tjerë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës për shpalljen të pafajshëm të Sami Lushtakut dhe të bashkëluftëtarëve tjerë. Ky vendim, sipas OVL-UÇK, është një dëshmi e radhës se drejtësia, me gjithë vonesat, “në fund duhet të mbështetet vetëm mbi prova e fakte, e jo mbi akuza të pabazuara apo…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës për shpalljen të pafajshëm të Sami Lushtakut dhe të bashkëluftëtarëve tjerë.
Ky vendim, sipas OVL-UÇK, është një dëshmi e radhës se drejtësia, me gjithë vonesat, “në fund duhet të mbështetet vetëm mbi prova e fakte, e jo mbi akuza të pabazuara apo paragjykime”.
“Përpjekjet e vazhdueshme për të njollosur figurat e luftës çlirimtare dështojnë përballë të vërtetës. Pastërtia e luftës së UÇK-së dhe sakrifica e pjesëtarëve të saj mbeten vlera sublime që nuk mund të tjetërsohen nga asnjë proces i rremë apo presion publik”, thuhet në reagimin e OVL-së së UÇK-së.
Organizata tha se rikonfirmon qëndrimin e saj se “çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet mbi parimet më të larta të ligjit, duke respektuar të drejtat e secilit qytetar dhe prezumimin e pafajësisë si shtyllë kryesore të një shteti të së drejtës”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, lidhur me akuzën për veprat penale “Pjesëmarrja në një grup të organizuar kriminal”, “Pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” si dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”.
Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska dhe anëtarët Kushtrim Shyti dhe Rrahman Beqiri.