OVL-UÇK i kërkon presidentes Osmani sqarime për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe Dhomave të Specializuara

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i është drejtuar me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar sqarime lidhur me zgjatjen e mandatit të Misionit të EULEX-it dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në letrën zyrtare, OVL-UÇK kërkon të mësojë nëse është marrë ndonjë vendim final për…

Lajme

09/06/2025 20:07

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i është drejtuar me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar sqarime lidhur me zgjatjen e mandatit të Misionit të EULEX-it dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në letrën zyrtare, OVL-UÇK kërkon të mësojë nëse është marrë ndonjë vendim final për zgjatjen e mandatit për periudhën 2025-2027, siç është raportuar nga mediat evropiane dhe vendore.

Po ashtu, organizata interesohet nëse ka pasur shkëmbim të ri letrash mes presidentes Osmani dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Kaja Kallas, lidhur me këtë çështje.

“Jemi të vetëdijshëm se në të kaluarën vendime të tilla janë formalizuar përmes shkëmbimit zyrtar të letrave ndërmjet Zonjës Osmani dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së,” thuhet në letër.

OVL-UÇK thekson se është drejtpërdrejtë e interesuar në këtë proces, pasi shumë nga bashkëluftëtarët e tyre ndodhen aktualisht në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Duke qenë se shumë nga bashkëluftëtarët tanë ndodhen aktualisht në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, ne si organizatë jemi drejtpërdrejt palë e interesuar në këtë proces,” përfundon letra.

Ndërkaq, EULEX-i dhe Dhoma e Specializuar vazhdojnë të jenë çështje me ndikim të madh politik dhe juridik në Kosovë, dhe vendimet për mandatin e tyre shpeshherë kanë pasoja të gjera në skenën politike dhe shoqërore.