OVL UÇK akuzon Vetëvendosjen për përpjekje për politizim të protestës së 17 tetorit: Është zëri i popullit, jo organizim i partive

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, të lëshuar mbrëmë, duke e akuzuar këtë parti se po përpiqet të politizojë protestën gjithëpopullore që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë. Në deklaratën e saj zyrtare, OVL UÇK e bën të qartë se protesta nuk…

Lajme

16/10/2025 12:26

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, të lëshuar mbrëmë, duke e akuzuar këtë parti se po përpiqet të politizojë protestën gjithëpopullore që do të mbahet më 17 tetor në Tiranë.

Në deklaratën e saj zyrtare, OVL UÇK e bën të qartë se protesta nuk është organizuar nga ndonjë subjekt politik, por është “zëri i popullit shqiptar, i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë”, raporton lajmi.net

“Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë,” thuhet në deklaratën e veteranëve, duke iu referuar përpjekjeve të Vetëvendosjes për të ndikuar në mesazhin dhe drejtimin e protestës.

Organizata u shpreh e vendosur se nuk do të lejojë që lufta e UÇK-së të përdoret për interesa partiake dhe theksoi se kërkesa e tyre është e qartë: drejtësi për luftëtarët e UÇK-së dhe ndëshkim për krimet e Serbisë.

Ndërsa paralajmëroi se protesta do të jetë madhështore dhe gjithëkombëtare, OVL UÇK falënderoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe institucionet

Postimi i plotë:

Deklarata e Lëvizjes Vetëvendosje, e lëshuar mbrëmë vonë, tregon qartë se kjo parti po përpiqet të politizojë dhe të zbehë qëllimin e protestës së madhe që do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.
Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.
Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë.
OVL UÇK nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake.
Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë.
Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive.
Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, për të treguar se UÇK-ja është nderi i kombit dhe s’ka gjykatë që mund ta njollosë atë.
Në të njëjtën kohë, OVL UÇK shpreh falënderim të sinqertë për Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili është treguar zë i qartë dhe mbështetës i kësaj kauze të drejtë, si dhe për institucionet shqiptare që kanë dhënë mbështetje të plotë për mbarëvajtjen dhe organizimin e protestës në Tiranë./Lajmi.net/