Osmani takoi ambasadorin britanik, folën për sigurinë dhe mbrojtjen si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit, Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për rolin thelbësor në procesin e shtetndërtimit. Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e…

Lajme

20/01/2025 13:14

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit, Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për rolin thelbësor në procesin e shtetndërtimit.

Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj Presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë  e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes.

Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO.

Presidentja Osmani, poashtu falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore dhe kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë për adresimin e sfidave dhe avancimin e aspiratave të përbashkëta, duke shfaqur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.