Osmani vlerëson Trinomin e Rugovës si manifest politik me thelb filozofik

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Ibrahim Rugova ka qenë strategu i paqes e i lirisë dhe figura që u respektua në qarqet ndërkombëtare, në akademinë përkujtimore të organizuar nga Presidenca e Kosovës në 20-vjetorin e vdekjes së presidentit historik. “Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një epokë që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën…

Lajme

21/01/2026 13:16

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Ibrahim Rugova ka qenë strategu i paqes e i lirisë dhe figura që u respektua në qarqet ndërkombëtare, në akademinë përkujtimore të organizuar nga Presidenca e Kosovës në 20-vjetorin e vdekjes së presidentit historik.

“Sot nuk përkujtojmë vetëm një datë, por një epokë që e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë sonë. Askush nuk e mishëroi më thellë e më mirë shprehjen ‘Unë biri yt, Kosovë’ sesa presidenti Ibrahim Rugova. Ai ishte biri i saj në bindje, përkushtim e sakrificë. I lidhur me tokën, popullin dhe vlerat e saj duke ia kushtuar gjithë jetën, dhe siç thotë zonja Fanë, çdo qelizë të tij ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit të lirë, demokratik e të pavarur të Kosovës”,  tha Osmani.

Osmani tha se Rugova ngriti politikën në nivel filozofie dhe arriti që t’ia jep dimensionin human dhe moral politikës.

“Trinomi i presidentit Rugova: liri, pavarësi, demokraci, është manifest politik dhe njëkohësisht koncept i thellë filozofik e human. Për Rugovën liria nuk ishte thjesht mungesë e kufizimeve, por poashtu aftësia e popullit për të vendosur për fatin e orientimin e vet. Pavarësia nuk ishte thjesht një akt juridik, por poashtu realizim i një të drejte historike. Ndërkaq demokracia nuk ishte një instrument pushteti, por mekanizëm dialogu e i realizimit të të drejtave e lirive themelore për të gjithë pa dallim”, tha ajo.

Ajo tha se Rugova mbetet shembulli i burrshtetasit që e shndërroi paqen në akt guximi, idenë në shtet dhe fjalën në histori.

Sejdiu: Rugova vuri themelet e miqësisë me SHBA-të e Evropën

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se në shtyllat kryesore të vizionit të Rugovës për shtetndërtim ishin krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete dhe institucione e qeveri. Shtoi se ai vuri themelet e miqësisë së Kosovës me SHBA-të e Evropën.

“Ishte një intelektual, kritik, nacional dhe paqësor, që idetë nacionale për liri arriti t’i mbillte jo vetëm te populli i Kosovës por edhe në opinione e institucione ndërkombëtare. Andaj filozofia e tij paqësore u pranua dhe gëzon aq shumë respekt në katër anët e globit”, tha Sejdiu.