Osmani thellon përçarjen në LDK, sulmon gjashtë deputetët që ishin kundër marrëveshjes me Kurtin: Do ta bllokonin çdo emër për president

Deputetja e LDK-së dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjashtë deputetët që nuk mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut për president nuk e kishin problemin te emri i propozuar, duke pretenduar se disa prej tyre do të refuzonin çdo kandidat, madje edhe një figurë nga LDK-ja. Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan…

Lajme

03/09/2026 21:45

Deputetja e LDK-së dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjashtë deputetët që nuk mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut për president nuk e kishin problemin te emri i propozuar, duke pretenduar se disa prej tyre do të refuzonin çdo kandidat, madje edhe një figurë nga LDK-ja.

Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Osmani tha se kjo ishte bërë e qartë edhe gjatë takimeve të Grupit Parlamentar, transmeton lajmi.net.

“Neve çka na është thënë në takimin e Grupit Parlamentar, në fund të fundit, s’do të kishte fare rëndësi se kush është emri. Do ta bllokonin çdo emër. Dhe kur dëgjon gjëra të tilla, e kupton se s’ka pasur fare rëndësi se sa përpiqesh, se për çfarë emri flet… bile bile për dy prej tyre, edhe sikur të ishte president i LDK-së, tash ndërruan mendjen dhe thanë nuk do t’i votonin të gjithë që do të vinin nga LDK-ja, Është brishtësi”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se edhe disa deputetë të tjerë kishin shprehur qëndrimin se nuk do ta mbështesnin domosdoshmërisht çdo kandidat të propozuar nga LDK-ja.

“Disa të tjerë thanë as nga LDK-ja ne nuk do ta votonim çdokënd. E se për kë e kanë pasur fjalën saktësisht, ju mund të supozoni”, u shpreh më tej ish-presidentja.

Osmani e ka mbrojtur kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke thënë se LDK-ja kishte propozuar një figurë konsensuale dhe jo partiake, ndërsa kritikoi atë që e cilësoi si propagandë rreth kandidaturës së tij.

“Ne kemi propozuar një president konsensual, jo partiak, i cili do ta mbronte Kushtetutën do të siguronte respektimin e integritetit të vendit tonë, do të krijonte balanca demokratike dhe në bazë të përvojës që e kemi edhe ne me profesor doktor Bekim Sejdiun, do të ruante aleancat, do të fuqizonte aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbronte sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe në veçanti do të dinte të përballej me Serbinë ashtu siç duhet të përballet një president i Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, këtu u krijua një lloj propagande e tmerrshme se kinse ne e kemi pranuar një njeri të Vetëvendosjes”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Osmani e ka vlerësuar situatën aktuale politike në Kosovë si veçanërisht të rëndë, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për vendin për shkak të mungesës së institucioneve dhe bllokadave politike.

“Në radhë të parë më lejoni të them që Kosova është në një situatë shumë fatkeqe për shkak të mungesës së institucioneve, bllokadave të njëpasnjëshme dhe kjo lë pasoja të pariparueshme me të cilat do duhej të merremi jo vetëm ne, por edhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh, sepse dëmi është edhe përbrenda, qoftë ai ekonomik, qoftë ai i përçarjeve që po krijohen, i humbjes së mundësive të shumta, por nga perspektiva edhe e përvojës sime si presidente dëmi është jashtëzakonisht i madh edhe në sferën ndërkombëtare, në imazhin e vendit tonë, në aleancat e vendit tonë dhe përsëri në mundësitë e shumta që po i humb shteti ynë për shkak të mungesës së institucioneve të fuqishme reprezentative”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë qenë të angazhuar që pas zgjedhjeve të kontribuojnë në krijimin e institucioneve të reja, pavarësisht rezultatit zgjedhor.

“Ju e dini shumë mirë që kur kemi qenë këtu në studio te ju bashkë me kryetarin e LDK-së gjatë fushatës zgjedhore, për ne ka qenë shumë me rëndësi që ta qartësojmë qëndrimin tonë para qytetarëve edhe gjatë fushatës dhe të njëjtin e kemi mbajtur edhe pasi ka përfunduar fushata zgjedhore, edhe pasi kemi marrë rezultatet e zgjedhjeve, dhe kjo ka qenë që ne pavarësisht rezultatit do ta japim gjithë kontributin tonë që Kosova të ketë institucione”.

Osmani tha se ky qëndrim nuk ishte i kushtëzuar nga pozitat apo interesat personale të përfaqësuesve të LDK-së.

“E kemi sqaruar që pikërisht këtu te ju që kjo nuk do të lidhet assesi me emrat tanë, nuk do të lidhet assesi me pozitat tona, por do ta japim kontributin maksimal brenda atij kapaciteti që e kemi prej votës qytetare që Kosovës t’i japim institucione”, tha ajo.

Sipas saj, ky angazhim kishte nisur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa ajo ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi politike.

“Dhe pikërisht këtu ka filluar angazhimi ynë, menjëherë pas zgjedhjeve e kemi sqaruar të njëjtën gjë, sepse ne kemi besuar që në këtë periudhë Kosovës më së shumti i duhet urtësi shtetërore e shumë më pak krenari partiake apo individuale grupore”, u shpreh ajo./lajmi.net/