Osmani s’bëri zë për veprimet e Kurtit që dëmtuan marrëdhëniet me ShBA-të, tash flet fjalë të mëdha për Trumpin: Ka bërë një punë të shkëlqyeshme në parandalimin e eskalimit të situatës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga New Yorku ku po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për rrjetin amerikan Fox News, ku ka falënderuar Presidentin aktual të SHBA-ve, Donald Trump, për angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës dhe parandalimin e veprimeve destabilizuese…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga New Yorku ku po merr pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për rrjetin amerikan Fox News, ku ka falënderuar Presidentin aktual të SHBA-ve, Donald Trump, për angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës dhe parandalimin e veprimeve destabilizuese nga Serbia.
Osmani ka deklaruar se lidershipi serb ende përfshin individë që duan të kthehen në të kaluarën, duke përmendur aktin e agresionit në Banjskë më 2023 dhe një incident tjetër në Ibër Lepenc. Ajo theksoi rolin e administratës Trump në mbrojtjen e stabilitetit në rajon, transmeton lajmi.net.
“Presidenti Trump ka bërë një punë të shkëlqyeshme në parandalimin e eskalimit të situatës në Ballkan,” u shpreh Osmani në intervistë.
Ajo kujtoi gjithashtu kontributin historik të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës:
“Ne jemi populli më proamerikan në botë. Që nga viti 1999, kur ushtarët amerikanë erdhën të shpëtojnë jetët tona, ne ekzistojmë si shtet falë mbështetjes së SHBA-ve. Ata nuk i mbyllën sytë ndaj gjenocidit dhe vuajtjeve tona – ata erdhën të na ndihmojnë dhe besuan në të drejtën tonë për liri.”
Presidentja shtoi se Serbia mbetet një burim i rrezikshëm për paqen në rajon:
“Ne kemi një fqinj që vazhdon të krijojë tensione. Serbia, e udhëhequr dikur nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ka shkaktuar konflikte në gjithë rajonin. Fatkeqësisht, ka ende njerëz në udhëheqje që mendojnë si ai. Por Presidenti Trump na ka ndihmuar vërtet në ruajtjen e paqes dhe në parandalimin e përshkallëzimeve.”
Sipas Osmanit, incidentet e rënda të vitit 2023 dhe kërcënimet e përsëritura në vitin 2024 janë menaxhuar me sukses falë bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në./lajmi.net/