Osmani: Roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës për paqen, lirinë dhe procesin e shtetndërtimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të Kongresit Amerikan, në një vizitë të organizuar nga Atlantic Council. Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për perspektivën euroatlantike…

Lajme

31/05/2025 13:42

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të stafit të Kongresit Amerikan, në një vizitë të organizuar nga Atlantic Council.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe bipartizane nga Kongresi Amerikan, duke theksuar rëndësinë që kanë të dy dhomat e Kongresit në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Në njoftim thuhet më tej se Osmani ka theksuar se roli i SHBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, për paqen, lirinë dhe procesin e shtetndërtimit.

“Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe si dhe për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke e cilësuar integrimin euro-atlantik si një hap kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në rajon si dhe në të gjithë kontinentin evropian”, përfundon njoftimi.