Osmani riktheu në LDK ish-bashkëpunëtorë të Vetëvendosjes, por vetëm njëra siguroi ulëse në Kuvend

Në prag të përfundimit të mandatit presidencial, Vjosa Osmani u përball me një realitet të ri politik. Aleanca e saj e dikurshme me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte marrë fund dhe rruga drejt një mandati të ri në krye të shtetit nuk dukej më e hapur. Pas përfundimit zyrtar të mandatit në fillim…

Lajme

18/06/2026 15:45

Në prag të përfundimit të mandatit presidencial, Vjosa Osmani u përball me një realitet të ri politik. Aleanca e saj e dikurshme me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte marrë fund dhe rruga drejt një mandati të ri në krye të shtetit nuk dukej më e hapur.

Pas përfundimit zyrtar të mandatit në fillim të prillit, Osmani vendosi të rikthehej në politikën partiake, duke iu bashkuar sërish Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë nga e cila kishte nisur karrierën e saj politike. Ajo jo vetëm që mori drejtimin e listës zgjedhore të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, por afroi rreth vetes edhe një grup bashkëpunëtorësh, përfshirë ish-deputetë të Vetëvendosjes dhe figura të tjera që vendosën ta ndjekin në këtë rikthim politik, shkruan lajmi.net.

Osmani rezultoi kandidatja më e votuar e LDK-së, duke siguruar 92 mijë e 236 vota. Megjithatë, mbështetja e elektoratit nuk u reflektua në të njëjtën masë për shumicën e emrave që ajo kishte afruar në listë.

Nga rreth dhjetë kandidatët që u rreshtuan pranë saj në këtë garë, vetëm Albena Reshitaj arriti të sigurojë mandat deputeti. Ish-deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, e cila kishte braktisur partinë Guxo për t’iu bashkuar Osmanit në LDK, mori 19 mijë e 614 vota, duke siguruar ulëse në Kuvend.

Ndryshe ndodhi me dy ish-deputetët e tjerë të Vetëvendosjes që iu bashkuan Osmanit. Jeta Statovci mbeti jashtë Kuvendit pavarësisht se grumbulloi 15 mijë e 874 vota. Ajo ishte pranë sigurimit të mandatit, por numërimi i votave me postë i kushtoi LDK-së një ulëse parlamentare.

Po ashtu, edhe Haxhi Avdyli nuk arriti të sigurojë mandat, pasi mori 8 mijë e 110 vota.

Jashtë Kuvendit mbetën edhe kandidatët e tjerë që iu bashkuan Osmanit në këtë cikël zgjedhor, përfshirë Fahrije Hotin, Arjeta Musliun, Bardhyl Hasanpapajn, Visar Xanin, Besim Kodrën, Brikena Muharremin, Kreshnik Çollakun dhe Lulzim Zenelin.

Rezultati tregon se, megjithëse Osmani arriti të mobilizojë një numër të konsiderueshëm votuesish për veten, shumica e ekipit që e shoqëroi në rikthimin e saj në LDK nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të fituar një vend në legjislaturën e re. /Lajmi.net/