Osmani reagon pas rritjes së rasteve: Po s’u vaksinuam, të gjithë jemi humbës

Pas shtimit të numrit të infekturve me COVID-19 gjatë ditëve të fundit në Kosovë, ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Lajme

11/08/2021 19:23

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj pandemisë së koronavirusit, sepse sipas saj “po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës”.

Sipas saj alternativa e vetme që të ulet numri i të infektuarve është vaksinimi.

Ajo ka thënë tutje se vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë dhe se ky proces zgjat vetëm pak minuta.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Rritja e numrit të të infektuarve me variantin Delta kërkon shtimin maksimal të kujdesit, sepse po s`u vaksinuam të gjithë, të gjithë do të jemi humbës. Secili prej nesh ka përgjegjësi në raport me tjetrin për t`i zvogëluar dhimbjet, e para se gjithash humbjet.

Teksa shqetësimi për variantin e ri të virusit rritet, ne duhet t`i shtojmë përpjekjet për vaksinim. Është akt patriotik që secili prej nesh të vaksinohet sa më parë të jetë e mundshme. Vaksina ka mjaftueshëm për të gjithë, ndaj duhet të ndajmë pak minuta nga dita për ta bërë një veprim, i cili në kohën e sotme është më shumë se sa personal.

Për të mirën e të gjithëve, për sigurinë tonë, për mbarëvajtjen e shtetit tonë, vaksinohuni të gjithë!

Ne duhet dhe mund të ngadhënjejmë ndaj çfarëdo virusi!

Vaksinohuni!/Lajmi.net/