Osmani për Kadarenë: Tërë jetën dhe veprën ia kushtoi dashurisë ndaj gjakut e vendit të shqiptarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një…

Lajme

01/07/2024 10:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore. Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”, ka shkruar Osmani. 
Ajo ka thënë se vdekja e Ismail Kadaresë shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit.
Ismail Kadare është ndarë sot nga jeta duke lan pas vetes një thesar të letërsisë shqipe.
Postimi i plotë: