Osmani për Bajram Qerkinin: Ishte i përkushtuar për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e Bajram Qerkinit, kryetarin e shoqatës “Zëri i Prindërve”. “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar telegram ngushëllimi për vdekjen e Bajram Qerkinit, kryetarin e shoqatës “Zëri i Prindërve”.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Bajram Qerkinit, njeriun që me përkushtim dhe guxim i dha zë dhimbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.”
Osmani ka thënë se Bajram Qerkini ishte simbol i qëndresës, drejtësisë dhe përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
“Si Kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajrami ishte simbol i qëndresës, i drejtësisë dhe i përkushtimit të palëkundur për ta zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Për më shumë se dy dekada, ai jetoi me dhimbjen për të birin e tij të zhdukur, duke mos u ndalur kurrë në kërkimin për të vërtetën.”
“Sot, Kosova humbi një zë të fuqishëm të kauzës për drejtësi, por trashëgimia e tij mbetet e gjallë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Qerkini, miqve dhe të gjithë atyre që mbështetën betejën e tij për të zhdukurit me dhunë. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Bajram Qerkinin!”