Osmani: Nuk kam asgjë për të fshehur, pse s’më keni pyetur? Vajzat e mia shkollohen në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas raportimeve të fundit, duke theksuar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe duke pyetur pse askush nuk i ka kërkuar shpjegime. Po ashtu ajo ka nënvizuar gjithashtu se vajzat e saj, të cilat shkollohen në Kosovë, janë mbrojtur sipas protokolleve të sigurisë dhe se çdo gënjeshtër për praninë…

Lajme

11/09/2025 10:17

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas raportimeve të fundit, duke theksuar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe duke pyetur pse askush nuk i ka kërkuar shpjegime.

Po ashtu ajo ka nënvizuar gjithashtu se vajzat e saj, të cilat shkollohen në Kosovë, janë mbrojtur sipas protokolleve të sigurisë dhe se çdo gënjeshtër për praninë e policisë ose arrestimin e gazetarëve është e pavërtetë.

Derisa tutje ka theksuar se është hera e parë kur një president i vendit kërcënohet me jetë.

“Është hera e parë që një president i vendit kërcënohet me jetë. Është bërë thirrje publike që të vritem sipas flamurit, dhe kjo është raportuar në televizione. Vajzat e mia mezi e presin ditën që të dalin pa përcjellje. Këto janë protokolle të sigurisë. U publikua edhe një gënjeshtër se policia qëndron në klasën e vajzave të mia kur ato mbajnë mësim. Vajzat e mia kanë qenë për pesë vite në ‘Ismail Qemali’. Edhe një gënjeshtër që u publikua, kinse ato kanë mbajtur mësim ndaras me nxënësit e tjerë.

Gënjeshtër tjetër është se kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar një gazetar. Unë vetë kam kërkuar nga mbrojtja ime e afërt që të mos i prekin me dorë. Ata nuk arrestojnë gazetarë, kanë qenë në kryerjen e detyrës zyrtare. Ju e dini se incizimi i paautorizuar është vepër penale, dhe një nga nenet kryesore në Kodin e Mediave të Shkruara është incizimi pa leje i fëmijëve nën moshën 18-vjeçare pa lejen e prindërve. Nuk kam asnjë informacion nga kush dhe si është arrestuar dhe nuk kam pasur asnjë kërkesë”, ka thënë Osmani.

Presidentja gjithashtu u shpreh e indinjuar se në rast se ka qenë në interes publik të dihet shkolla e vajzave të saj, pse nuk është pyetur, teksa tha se nuk ka asgjë për të fshehur.

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Nëse ky paska qenë interes publik, pse nuk më keni pyetur mua? Askush s’ka dërguar pyetje. Vajzat e mia shkollohen në Kosovë, për pesë vite ishin në ‘Ismail Qemali’. Shumë prej jush e dini se keni shkuar e i keni incizuar. Ku njerëzit edhe nga Serbia kanë mundur me i pa. Prania e policisë ka mbrojtur edhe shumë e shumë fëmijë të tjerë. Prani që e kanë me protokolle të sigurisë”, u shpreh presidentja. /Lajmi.net/