Osmani nga Kuvendi: Dhuna ndaj grave duhet të dënohet njëjtë si terrorizmi

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa më të ashpra në luftimin e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Duke folur në Kuvend, Osmani ka thënë se liria nuk mund të jetë e plotë në një shoqëri ku gratë jetojnë me frikë. “Ne nuk mund…

Lajme

26/10/2026 17:17

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa më të ashpra në luftimin e dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Duke folur në Kuvend, Osmani ka thënë se liria nuk mund të jetë e plotë në një shoqëri ku gratë jetojnë me frikë.

“Ne nuk mund të flasim për liri nëse lirinë e gjysmës së shoqërisë e kushtëzojmë me frikën e gjysmës tjetër. Shteti nuk guxon të qëndrojë si spektator”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka theksuar se dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore duhet të trajtohen me seriozitet shumë më të madh.

“Vepra e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore do të duhej ta kishte dënimin e njëjtë si terrorizmi, sepse gratë që përjetojnë dhunën përjetojnë terror çdo ditë”, ka thënë Osmani.

Ish-presidentja ka kritikuar edhe dënimet aktuale për këto vepra, duke i cilësuar ato si tepër të lehta.

“Dënimet aktuale janë tepër të lehta, aq të lehta sa e nxisin dhunën, madje aq të lehta sa janë, as ato nuk shqiptohen nga gjykatat tona”, ka deklaruar Osmani. /Lajmi.net/