Osmani në tryezën ekonomike në Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Katar ku edhe ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë. Në këtë tryezë ekonomike po marrin pjesë Oda Ekonomike e Katarit dhe bizneset anëtare katariane, kryetari…

Lajme

25/02/2024 12:41

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Katar ku edhe ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.

Në këtë tryezë ekonomike po marrin pjesë Oda Ekonomike e Katarit dhe bizneset anëtare katariane, kryetari i Prishtinës z. Përparim Rama si dhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova.

“Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha. /Lajmi.net/