Osmani në premierën e filmit “Zgjoi”: Kosova po hap kapituj të ri të suksesit

Historia e gruas krushiane e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë fillon edhe një biznes bujqësor, po triumfon në botë. “Zgjoi” i bazuar në ngjarje të vërtetë është dhënë premierë edhe në Prishtinë, ku u tha se ky film po hap kapituj të ri të suksesit.

ShowBiz

22/10/2021 20:09

Presidentja, kryeministri, përfaqësues të qeverisë, kuvendit, e shumë figura të shquara të artit e kulturës kanë marrë pjesë në premierën e këtij filmi.

“Zgjoi” ka fituar tri çmime të rëndësishme në festivalin “Sundance” dhe i njëjti është edhe propozim i Kosovës në “Oscars 2022”. Filmi kosovar do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë.

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se historia e Krushës është interpretuar me mjeshtëri nga regjia e Blerta Bashollit, duke portretizuar historinë e gruas nga Krusha e Madhe, Fahrije Hoti.

“Ju faleminderit që përmes kinematografisë së Kosovës po tregoni historinë e Kosovës, dhimbjet e saj, vuajtjet, sfidat, sukseset kulturat dhe mendësinë tonë dhe rrëfimin e një populli të tërë…. Nëpërmjet jush Republika e Kosovës po hap kapituj të ri të suksesit. Është kënaqësi të kremtojmë sukseset së bashku, ashtu siç e hapën filma të tërë rrugën para juve që edhe ju të shndërroheni në frymëzimin për krijues të tjerë të cilët ne fushën tuaj do të vazhdojnë sukseset”, ka thënë Osmani.

Në premierën e këtij filmi, Osmani shtoi se industria e filmit çdo ditë e më shumë po bëhet e fuqishme ndërkombëtarisht.

E, Yll Uka i cili është producent i filmit “Zgjoi”, tha se janë krenar që ky film po vazhdon të inspirojë gratë e Kosovës.

“Një falënderim i veçantë i shkon ekipes që na i kanë mundësuar prodhimin e këtij filmi me një punë të palodhshme, sidomos aktorët tonë fantastik në krye me Yllka Gashin ai dhe Fahrije Hotin e cila na i ka besuar storien e saj për të realizuar këtë film. Dhe regjisoren dhe skenaristen më meritore për këtë film, Blerta Bashollin. Jemi të kënaqur që ky film dhe kjo histori kosovare ka filluar mirë dhe po vazhdon të inspirojë dhe të fuqizojë shumë gra anë e mbanë kombit”, ka shtuar ai.

Premiera e filmit është dhënë në kinemanë Cineplexx në Prishtinë.

Nga 28 tetori, filmi “Zgjoi” do të shfaqet për publikun në kinemanë në kryeqytet dhe Prizren.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ku në role tjera paraqiten edhe Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami, e shumë aktorë të tjerë. /Lajmi.net/