Osmani ndryshon deklaratat si moti këto ditë, nga “VV s’ka asnjë arsye ta refuzojë emrin tim për presidente” në “s’po kërkoj këtë gjë”
Ish-presidentja dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk do të jetë sërish presidente dhe se emri i saj nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve të reja. Por në fakt deklarimet e Vjosa Osmanit janë të ndryshme nga dita në ditë, e si moti këto…
Lajme
Ish-presidentja dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk do të jetë sërish presidente dhe se emri i saj nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve të reja.
Por në fakt deklarimet e Vjosa Osmanit janë të ndryshme nga dita në ditë, e si moti këto ditë.
Vjosa Osmani sa thotë publikisht se Lëvizja Vetëvendosje s’e ka më asnjë arsye që të refuzojë për presidente, e sa thotë se s’do të jetë pengesë.
“Jo, kjo nuk do të thotë se unë do të jem sërish në postin e presidentes. Nuk po insistoj dhe as nuk po e kërkoj një gjë të tillë. Siç e kam thënë edhe publikisht më herët, emri im nuk do të jetë në asnjë mënyrë pengesë për krijimin e institucioneve të Kosovës”, deklaroi Osmani për mediumin gjerman Deutsche Welle.
Madje madje Osmani u deklarua edhe në lidhje me raportet që ka me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të cilat i përshkroi si thjeshtë dallime politike normale në demokraci.
Sipas Osmanit normale raportet qenkan edhe pasi ajo e akuzonte Kurtin si “tradhtar” që s’e nominoi edhe një herë për kandidatë, e më pas thoshte se nga Vetëvendosje bëjnë plane e kurthe se si t’i sulmojnë njerëzit.
Osmani pati shkuar tutje edhe gjatë një tubimi me qytetarët në lagjen Dardania në Prishtinë, ish presidentja Vjosa Osmani ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me takimet e tij me Aleksandar Vuçiq dhe emisarin evropian Miroslav Lajçak.
“Pyetja është: çfarë ka folur ai me Vuçiçin dhe Lajçakun brenda një dhome? Çfarë është diskutuar aty, askush nuk e di. Nuk kanë treguar kurrë se për çfarë kanë biseduar. A ju kanë treguar juve ndonjëherë si opozitë? Kurrë…”, deklaroi Osmani gjatë tubimit në Prishtinë.
Pas një fushate të ashpër që bëri në këto zgjedhje, Osmani tani këto raporte i përshkruan si thjesht normale.
Ndërsa për akuzat se Kurti po krijon bllokada, Osmani tha se qytetarët kanë folur qartë duke kërkuar “koalicione”.
Lidhur me faktin se një numër i madh i qytetarëve bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit, Osmani u shpreh se mesazhi i tyre ishte i qartë.
“Sepse mesazhi i qytetarëve ka qenë shumë më i qartë se herën e kaluar: ata duan që forcat politike të bashkëpunojnë për të krijuar institucione. Pjesëmarrja më e ulët, dhe sidomos bojkoti i madh që nuk është parë prej kohësh, është një mesazh i qartë për të gjithë se përsëritja e procesit vetëm sa do ta rrisë bojkotin”.
“Gjithashtu, është e rëndësishme që ky mesazh ka krijuar një balancim demokratik të forcave në institucione, në mënyrë që askush të mos mund t’i krijojë institucionet i vetëm”.
Ajo ka kërkuar që të gjitha partitë politike ta kuptojnë se kompromisi është rruga përpara dhe se institucionet duhet të formohen sa më shpejt.
“Është frustruese për vendin që nuk po arrin të ecë përpara me procese shumë të rëndësishme të brendshme, por është gjithashtu frustruese edhe për procesin e integrimit euro-atlantik, i cili po ngadalësohet për shkak të krizave pas krizave pas këtyre zgjedhjeve”.
Në tri palë zgjedhje që u mbajtën në Kosovë brenda 16 muajsh, Lëvizja Vetëvendosje arriti të dalë e para, ndonëse në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe në zgjedhjet e 7 qershorit me një rezultat më të ulët.
Ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, ajo arriti të fitojë mbi 50 për qind të votave, duke shënuar kështu një fitore bindëse në vend.