Osmani: Mund të kemi krizë, vendi mbetet pa buxhet e qytetarët pa mënyrën e vetme të mbijetesës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me udhëheqësit politikë e ka shtruar çështjen e procedimit përpara të buxhetit dhe Planit të Rritjes të BE-së, i cili duhet të ratifikohet në Kuvend, në mënyrë që vendi të mund t’i përfitojë 800 milionë eurot e ndara nga Brukseli. Sa i përket buxhetit, Osmani tha…
 
                        Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me udhëheqësit politikë e ka shtruar çështjen e procedimit përpara të buxhetit dhe Planit të Rritjes të BE-së, i cili duhet të ratifikohet në Kuvend, në mënyrë që vendi të mund t’i përfitojë 800 milionë eurot e ndara nga Brukseli.
Sa i përket buxhetit, Osmani tha se në bazë të nenit 79 të Kushtetutës, ajo mund ta dërgojë në Kuvend propozimin për zgjatje buxhetore e jo për një buxhet të ri, në mënyrë që me një zgjatje të tillë, vendi të mund të ketë para deri më 31 mars 2026.
Osmani tha se vendi mund të kalojë në një krizë të mundshme, në qoftë se nuk krijohet qeveria e re.
Sipas saj, vendi mund të mbetet pa buxhet, derisa shton se qytetarët mund të mbesin pa mënyrën e vetme të mbijetesës, pra pagën e tyre.
“Do të jem në kontakt me partitë politike në ditët në vijim për të parë nëse ekziston një mundësi e tillë, në mënyrë që të parandalojmë një krizë e cila është e mundshme . Është e mundshme sepse ne e kemi parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka zgjatur shumë certifikimi, pastaj ka zgjatur shumë konstituimi, Gjykata Kushtetuese akoma nuk e ka sqaruar çka nëse një Kuvend nuk konstituohet brenda 30-ditësh, pra mund të kemi situata të stërgjatura, dhe mund të mbetet vendi pa buxhet, dhe qytetarët pa mënyrën e vetme të mbijetesës”, u shpreh ajo.
Ajo tha se në takim u shprehën shqetësime lidhur me procedurat për propozimin e një buxheti të ri nga Qeveria, duke thënë se zgjidhja mund të jetë që ajo të dërgojë në Kuvend propozimin për zgjatjen buxhetore për të parandaluar një krizë financiare.
“Kishte shqetësime rreth procedurave, është neni 79 i Kushtetutës, atë detyrim ta marrë unë dhe si presidente t’i procedojë zgjatjet buxhetore, meqë nuk i kam të drejtat e kufizuara”, tha Osmani.
“Shpresa ishte që mund të ketë reflektim” dhe të procedohet buxheti, por edhe ratifikimi i Planit të Rritjes, shtoi e para e vendit.
 
                                                       
                                                       
                                                      