Osmani lartëson punën e Policisë së Kosovës, përkujton dhe nderon heroin Afrim Bunjaku

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, na ceremoninë zyrtare të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, i ka uruar të gjithë për këtë ditë të cilën ajo e ka quajtur të veçantë. Ajo tha se Policia përgjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë njëri nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit…

Lajme

06/09/2024 12:03

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, na ceremoninë zyrtare të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, i ka uruar të gjithë për këtë ditë të cilën ajo e ka quajtur të veçantë.

Ajo tha se Policia përgjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë njëri nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25-vjetorin e Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por një nderim për përkushtimin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit dhe sigurisë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës të jenë të sigurtë”, tha Osmani.

Gjatë fjalimit të saj, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun i cili u vra vitin e kaluar gjatë sulmit që ndodhi në Banjskë.

“Nuk mund të flasim për Policinë pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. I fundit është Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve. Afrimi bashkë me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë dhe për të siguruar një mjedis të qetë për gjithë qytetarët. Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për secilin pjesëtar të Policisë që para gjithçkaje kanë vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve”, tha presidentja.

Osmani falënderoi fuqishëm edhe aleatët e Kosovës.

“Për 25 vjet rresht që nga dita e parë e deri më sot i kemi pasur në krah aleatët tanë, prandaj i falënderoj edhe një herë në emër të Kosovës jo vetëm për eskpertizën dhe trajtimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Në fund, ajo falënderoi edhe gratë e Policisë së Kosovës për shërbimin profesional e mbi të gjitha për shembullin që japin për çdo vajzë që synon t’i bashkohet misionit për ta mbajtur Kosovën e sigurt.