​Osmani kërkon ndërprerjen e grevës: T’i hapet rrugë dialogut social

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka bërë thirrje sot mësimdhënësve që të ndërpresin grevën dhe t’i rikthehen normalitetit të procesit mësimor, duke i hapur rrugën dialogut social si zgjidhja e vetme e problemeve të tyre. Ajo këto komente i bëri pas takimeve që kishte sot me Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësve, Koalicionin për…

Lajme

03/09/2022 20:10

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka bërë thirrje sot mësimdhënësve që të ndërpresin grevën dhe t’i rikthehen normalitetit të procesit mësimor, duke i hapur rrugën dialogut social si zgjidhja e vetme e problemeve të tyre.

Ajo këto komente i bëri pas takimeve që kishte sot me Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësve, Koalicionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, SBASHK-un, Bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës ku kanë folur për mundësinë e fillimit të mësimit nga java e ardhshme.

“E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë që të cenohet, por të forcojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e arsimit. Interesi i njerëzve është parësor, ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë. Diskutuam për sfidat të shumta që përballen nxënësit, cilësia në shkolla, bulizmi, dhuna në shkolla dhe kam siguruar se do të shtyjë përpara duke pasur në qendër të vëmendjen vetëm fëmijët. Procesi mësimor të nisë sa më parë që të jetë e mundur dhe nxënësit të mos dëmtohen më tutje. Dialogu social të vazhdojë dhe palët të angazhohen që arsimit të vazhdojë. Interesi i shtetit është që greva të zëvendësohet me dialog të vazhdueshëm”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shprehur besimin e se sindikatat do të shqyrtojnë pakon e ndihmave nga qeveria deri në miratimin e ligjit të pagave, për të cilin tha se i trajton me dinjitet kërkesat e SBASHK-ut.

“Me ligjin e ri për pagat jo vetëm që do të trajtohen me dinjitet, por këtyre kategorive do t’iu zgjidhet një problem i madh dhe do të angazhohem si presidente dhe do të angazhohem që ky projektligj të kalojë në procedura në qeveri e Kuvend dhe të hyjë në fuqi edhe shumë më shpejtë se sa që është paraparë fillimisht. Jam e bindur se zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog dhe jo me kushtëzime. Asnjë politizim nuk duhet të lejohet mbi interesin e fëmijëve të Kosovës. Asnjë e drejtë ligjore nuk mund dhe nuk do të jetë mbi të drejtën e fëmijëve për arsim e cila është e drejtë kushtetuese. Ftoj mësimdhënësit të hapin dyert e shkollave të hënën për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e këtij shteti që të shtyjmë përpara adresimin e të gjitha kërkesave të tyre ashtu siç e meritojnë”, tha Osmani.

E pyetur nëse mësimi mund të fillojë të hënën duke marrë parasysh qëndrimet e SBASHK-ut kundër ndërprerjes së grevës pa u plotësuar kërkesat e tyre, Osmani tha se nuk ka marrë sinjale pozitive nga sindikatat, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë së shpejti.

“Tani është koha që sindikatat të tregojnë një vullnet të mirë, t’i hapin shkollat të hënën, në mënyrë që të krijohet një atmosferë e re në dialogun social ku të gjitha palët të ulen dhe të trajtojnë kërkesat që kanë. Unë i mirëkuptoj për shkak të inflacionit, shporta familjare kushton shumë më shumë, por unë masat e sotme i shoh si një masë që të zbusë situatën ekonomike dhe jo që sindikatat të japin një jo absolute. I lus që të ulen me anëtarësinë e tyre me mësimdhënësit dhe ta vlerësojnë këtë pako, e cila në radhë të parë ua mundëson fëmijëve që të shkojnë në shkolla dhe krijon një bazament më të fuqishëm për vazhdimin e dialogut social”, ka thënë Osmani.

SBASHK-u ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave. Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës në procesin e rregullt mësimor.