​Osmani kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se ende po mungon drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por përpjekjet për të fituar këtë drejtësi nga Osmani nuk do të ndalen. Me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së…

Lajme

14/04/2025 15:36

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se ende po mungon drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por përpjekjet për të fituar këtë drejtësi nga Osmani nuk do të ndalen.

Me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë homazhe para memorialit “Heroinat”, por pa prezencën e mediave.

Osmani, tha se së bashku me dy të mbijetuarat e luftës, që kanë thyer heshtjen, Vasfijën e Shyretën, do të vazhdojnë tutje për të fituar drejtësinë tranzicionale dhe të dëgjohet zëri i tyre në çdo cep të botës.

“Ngrehim zërin tonë kundër dhunës, kundër një prej mjeteve më të llahtarshme, që regjimi gjenocidal serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës, dhunimin seksual gjatë luftës, por mbi të gjitha ngrehim zërin tonë për drejtësi. Drejtësia ka munguar, përgjatë këtyre gati 26 viteve, për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Drejtësia po mungon akoma por kjo nuk do të thotë që veprimet tona, përpjekjet do të mungojnë. Ne do të vazhdojmë t’i bashkojmë forcat me Vasfijen, Shyretën si të deleguara të posaçme të presidencës për dhunën seksuale gjatë luftës por edhe për drejtësinë tranzicionale dhe zëri ynë ashtu siç është dëgjuar jo vetëm në Kosovë, por në çdo cep të botës do të vazhdojë të dëgjohet edhe tash e tutje”, tha Osmani.

Ndërsa, e mbijetuara e dhunës seksuale nga regjimi serb, Vasfije Krasniqi Goodman u shpreh se kjo ditë kujton momentet e saj më të vështira të jetës, por për të tashmë kjo ditë është shndërruar në forcë prej kur ka thyer heshtjen.

Krasniqi Goodman, kërkon nga të gjitha viktimat e dhunës seksuale që të thyejnë heshtjen dhe të mos ia falin Serbisë krimet që kanë bërë.

“Kjo ditë për mua ka qenë e vështirë për vite të tëra, por që nga sot kjo ditë do të shndërrohet në forcë, jo vetëm për mua por për 20 mijë të tjera. Jam krenare që zëri im, theu heshtjet dhe tabutë në shoqërinë tonë dhe lus të gjitha viktimat që të marrin guximin, të kanë vetëbesimin që të flasin për atë që ka ndodhur, të mos ia falin Serbisë asnjëherë për krimet që ka bërë në Kosovë”, u shpreh ajo.

Edhe Shyrete Tahiri kërkon që të kenë guximin e të flasin.

“Kjo ditë është shumë e rëndësishme për ne dhe i ftoj të gjithë të mbijetuarit të kenë guximin si sot të dalurën që pat”, shtoi Tahiri.

Në këtë përvjetorë, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës.

Të njëjtën gjë, bëri edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke mos ftuar mediat gjatë homazheve te memoriali “Heroinat”, për të shmangur pyetjet nga gazetarët rreth formimit të Qeverisë.