Osmani: Interesi shtetërorë më i rëndësishëm se votat e një palë zgjedhjeve dhe më i rëndësishëm se numrat në sondazhe
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës më fjalimin e saj vjetor në prag të fundvitit. Osmani në fillim të këtij fjalimi ka falënderuar të pranishmit, duke filluar nga kryeministri, ambasadorët, deputetët e drejtuesit e institucioneve në Kosovës. Osmani tha se është angazhuar që ti përfaqësojë qytetarë me…
Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës më fjalimin e saj vjetor në prag të fundvitit.
Osmani në fillim të këtij fjalimi ka falënderuar të pranishmit, duke filluar nga kryeministri, ambasadorët, deputetët e drejtuesit e institucioneve në Kosovës.
Osmani tha se është angazhuar që ti përfaqësojë qytetarë me dinjitet dhe se do të angazhohet që gjithnjë ta bëjë këtë.
“Në këtë rrugëtim do të angazhohem gjithnjë që të dalim faqebardhë. Përfaqësimi vendit tim përveç se është nderi më i madh i jetë sime, është edhe mishërim i besimit të qytetarëve. Duke na rikujtuar ditë pas dite përgjegjësinë që kemi jo për të lartësuar veten, por shtetin. Jemi këtu ku jemi me mision, për të udhëhequr shtetin tonë përpara gjithnjë e më shumë. Për të shtuar aleancat dhe për të qenë vesh e sy e mbështetje për secilin qytetar. Momenti kur mund të themi se vërtet ia kemi dal është momenti kur qytetarët tanë do të thonë se jemi krenar për vendin tonë, për vlerat që përfaqëson dhe mundësitë dhe gjithpërfshirjen që ofron.E jo për shkak të ndonjë personi, apo grupi politik. Ky është nderi më i madh që mund t’ia bëjmë Kosovës sonë. Rruga deri tek shteti që gëzojmë sot s’ka qenë fare e lehtë, populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep në mënyrë që sot të frymojmë lirshëm. Bashkëdyzimi i binomit Ibrahim Rugova e Adem Jashari nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimi i shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, aq të forta që s’ka forcë e sfidë që do të mund ndonjëherë t’i rrënojë ato”,deklaroi Osmani, shkruan lajmi.net.
Ajo gjithashtu përmendi sakrificën e familjes Jashari dhe vlerat e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Edhe sot si gjithnjë nderojmë vizionin e atit themeltar të shtetit tonë, presidentit Ibrahim Rugova dhe përkulemi përballë para sakrificës dhe guximit të pashoq të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari e secilit ushtarë të Kosovës. Vlerat e tyre qëndrojnë në themelet e shtetit tonë e mbeten thelbësore e qëndruese për vendin tonë. Kjo s’do të thotë se kjo s’do të ketë goditje ndaj shtetit tonë, por do të jemi të bashkuar në mbrojtje të këtyre shtyllave duke u bazuar n ë Kushtetutën tonë, e që mbetet Kushtetuta më modern në Evropë sidomos s ai përket të drejtave të komuniteteve joshumicë. Sot më shumë se kurrë na duhet patriotizmi kushtetues, që shkon përtej ndasive politike dhe kthehet tek bazamenti i shtetit tonë. Është ky patriotizëm që na bashkon jo sepse ndajmë mendimet e njëjta çdoherë por për shkak se besojmë në të ardhmen e ndërtuar bazuar në vlerat e parimet që na bashkojnë, pasi populli ynë çdoherë ka ditur të bashkohet për atdheun e ngritur me aq sakrificë”, shtoi Osmani.
Presidentja nuk la pa folur edhe për patriotizmin e ditëve të sotme, ku tha se Kushtetuta jonë garanton liri, e barazia para ligjit për të gjithë.
“Në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se Kushtetuta jonë është më shumë se sa dokument juridik. Ajo garanton lirinë, barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët. Në këto kohë të trazuara për globin ku përqarja po bëhet gjithnjë e më dukshme, besnikëria jonë ndaj parimeve tona të dukshme është ajo që duhet të na bashkojë. Kjo formë patriotizmi e shndërron obligimin individual në një detyrë qytetare, në funksion të mbrojtjes së rendit tonë demokratik, e në mbrojtje të çdo pëllëmbe të vendit tonë. Sot siguria është parakusht për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet individual e kolektiv”, shtoi Osmani.
Po ashtu presidentja Vjosa Osmani në fakt nuk la pa “thumbuar” paksa kryeministrin Kurti e liderët e tjerë të partive politike në vend.
Presidentja Osmani tha se më e rëndësishme është ajo që është në interes afatgjatë të shtetit, e jo në interes të një palë zgjedhjeve, apo të votave.
“Në këtë rrugëtim ajo që tregon më së miri zhvillimin e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë e jona. Atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur e jo atë që tingëllon bukur. Atë që është në interes shtetëror afatgjatë, e jo në interes të votave të një palë zgjedhjeve, atë që e ngrit shtetin tonë lart, e jo që i ngrit vetëm numrat në sondazhe. Vizioni lart pamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë. Jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë “theksoi Osmani./Lajmi.net/