Osmani hap derën për dialog: Do kontaktohen partitë për një takim gjithëpërfshirës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të ndërmarrë rolin e ndërmjetësueses në krizën aktuale institucionale që ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar se që nga data 16 prill, Osmani ka…

Lajme

08/05/2025 18:56

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikonfirmuar gatishmërinë e saj për të ndërmarrë rolin e ndërmjetësueses në krizën aktuale institucionale që ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar se që nga data 16 prill, Osmani ka shprehur publikisht gatishmërinë për të pritur liderët e partive politike, nëse ata e shohin të nevojshme një takim të përbashkët për të diskutuar zgjidhjet e mundshme.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka thënë Kupina.

Kjo deklaratë e Presidencës vjen në kohën kur disa subjekte politike kanë filluar të artikulojnë kërkesën për një tryezë të përbashkët, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga bllokada që ka pamundësuar krijimin e institucioneve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në një qëndrim të fundit, ka vlerësuar se një takim gjithëpërfshirës i thirrur nga Presidentja do të ishte një hap i nevojshëm drejt zgjidhjes së krizës, ndërsa ka propozuar formimin e një qeverie të re nga partitë që ishin në opozitë në mandatin e kaluar.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me idenë e krijimit të një qeverie tranzitore deri në zgjedhjen e presidentit të ri, vitin e ardhshëm – një propozim që ka gjetur gatishmëri nga AAK-ja, por është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.