Osmani e pranoi se ia dha Kurtit 28 dhjetorin për datë të zgjedhjeve, ja si e komentojnë qytetarët

“A ia paskam organizuar unë puçin z. Kurti duke ia dhënë datën 28 dhjetor a…” kjo deklaratë e e presidentes Vjosa Osmani në nëj intervistë televizive, duke iu referuar datës së zgjedhjeve të vitit të kaluar, u interpretua sërish si vendim në favor të kryeministrit Albin Kurti dhe partisë që ai e drejton. Kjo deklaratë…

Lajme

10/03/2026 20:04

“A ia paskam organizuar unë puçin z. Kurti duke ia dhënë datën 28 dhjetor a…” kjo deklaratë e e presidentes Vjosa Osmani në nëj intervistë televizive, duke iu referuar datës së zgjedhjeve të vitit të kaluar, u interpretua sërish si vendim në favor të kryeministrit Albin Kurti dhe partisë që ai e drejton.

Kjo deklaratë nxiti një valë reagimesh.

Edhe qytetarë në një anketë për KosovaPress shprehën qëndrim kritik për vendimin e presidentes për zgjedhje, marrë shkas edhe nga deklarata e saj më e re.

Qytetari Nazmi Metolli mendon se data e zgjedhjeve është caktuar në një mënyrë që i është përshtatur Vetëvendosjes dhe se presidentja e ka marrë këtë vendim duke pasur parasysh interesin e tyre.

“Unë mendoj se Vjosa Osmanit i ka konvenuar të vendos. Edhe për këtë arsye e ka vendos për Vetëvendosjen ta ckatojë atë datë që ata kanë dëshirë të shkojnë në zgjedhje”,tha Metolli.

Fehmi Stublla nuk parapëlqen të japë komente politike. Thotë se si jurist vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet.

“Sa i përket çështjeve politike, nuk jap komente për arsye se jam profesionist, jurist, por unë vetëm mendoj që veprimet, të cilat ndërmerren deri më tani, qoftë nga Vjosa apo qoftë nga pala tjetër, ku çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, duhet gjithqysh ta pranojmë Gjykatën Kushtetuese me vendimin meritor profesional dhe gjë tjetër asnjëra palë nuk duhet të flasë”,tha Stublla.

Qytetari Sheremet Ushtica është i mendimit se opozita nuk ka reaguar sa duhet ndaj situatës dhe për këtë arsye data e zgjedhjeve ka mbetur e pandryshuar.

“Shumë e vërtetë është, sepse e ka dëgjuar Kurtin. Ato tjerat parti nuk kanë reaguar, opozitë nuk kemi hiç. Me pas reaguar opozita nuk kish mbetur në atë datë”,tha Ushtica.

Adem Veseli vlerëson se vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë i bazuar në Kushtetutë, por shton se situata politike dhe ndryshimi i qëndrimeve nga partitë e kanë komplikuar procesin dhe vendi prapë do të përfundojë në zgjedhje.

“Po atëherë më 20 dhjetor që janë mbajtur zgjedhjet ju ka ndihmuar mirë, por ju ka kthyer bumerang. A po sheh çka po i bëjnë. Faktikisht, gabimi ka qenë i saj që ka besuar edhe në atë kulmin e sulmeve që po ja bën Vetëvendosja, sepse kjo është e drejtë që e ka shpërbërë Kuvendin, sepse ashtu thotë Kushtetuta, por këta vetë i kanë ndryshuar qëndrimet, sepse vetë Albin Kurti ka thënë pas datës 5 shkojmë në zgjedhje edhe pastaj janë tërhequr, e kanë dërgu mocionin për ta bllokuar. Vendi do të shkojë në zgjedhje, s’ka tjetër alternativë”,tha Veseli

Qytetari,Mustafë Shala, mendon se vendimi për caktimin e zgjedhjeve është bërë më shumë nga inati politik sesa nga një arsyetim i drejtë.

“Presidentja Vjosa Osmani mbrëmë me një intervistë tha që në zgjedhjet e kalume i ka caktu datat kur i ka konvenu Vetëvendosjes. Çfarë mendimi ke ti? Unë kish thënë: qashtu ka thënë mbrëmë, por atë ditë që i ka vendos me 28 dhjetor ka thënë që nuk është qashtu, veç kur i ka konvenu Vjosës. Vjosa Osmani ja ka bo tash sikur përpara: vjehrra për inati të resë ishallah me vdekt djali. Edhe Albin Kurtit ja boni qashtu, për inati i bëri zgjedhjet sepse jo ka i ka meritu edhe e ka ditë Vjosa që gabim është, por për inati e bëri atë.”

Caktimi i datës së zgjedhjeve më 28 dhjetor ishte komentuar shumë, meqë edhe atëherë konsiderohej se presidentja Osmani po i bënte favor kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes.

Presidentja Osmani kishte thënë se shumica e partive kanë qenë për një datë të tillë.

“Tetë parti janë deklaruar për datën 28 dhjetor, 5 parti për datën 21 dhjetor, derisa 3 parti kanë thënë se cilado datë është në rregull”, kishte shtuar Osmani në fundvitin e kaluar.