Osmani e gatshme për një mandat tjetër në krye të shtetit, thotë se është në dorë të deputetëve: Kam marrëdhënie të mirë me të gjithë

Kanë mbetur edhe pak javë deri te vendimi për çështjen e presidentit, ndërsa Vjosa Osmani e ka bërë të qartë se synon një mandat të dytë. Megjithatë, në një intervistë të dhënë në Kanal 10, ajo nuk ka treguar se cili është plani konkret për këtë çështje, duke thënë se “u takon vetë deputetëve të vendosin”.…

Lajme

17/02/2026 22:00

Kanë mbetur edhe pak javë deri te vendimi për çështjen e presidentit, ndërsa Vjosa Osmani e ka bërë të qartë se synon një mandat të dytë. Megjithatë, në një intervistë të dhënë në Kanal 10, ajo nuk ka treguar se cili është plani konkret për këtë çështje, duke thënë se “u takon vetë deputetëve të vendosin”.

Osmani u shpreh se, nëse nuk votohet, “do të ketë mundësi të tjera për të kontribuar në Kosovë”.

“Unë kam raport korrekt me shumicën dërrmuese të deputetëve, pa dallim partish. Kur kam thënë që besoj se është në të mirën e Kosovës që të vazhdojmë me punët që kemi filluar, sidomos me afrimin e vendit tonë me ndërkombëtarët… e kam thënë me vetëdije të plotë që kjo çështje është në duart dhe vullnetin e deputetëve të Kosovës. I njoh shumicën prej tyre, ata më njohin mua, e kanë parë punën time; tani u takon atyre ta vlerësojnë këtë, po ashtu siç e kemi vlerësuar ne dhe populli i Kosovës se është në të mirën e Kosovës sonë që të vazhdohet me një mandat tjetër. Nëse e vlerësojnë ndryshe, do të gjejmë mundësi dhe rrugë të tjera për të kontribuar dhe për t’i shërbyer shtetit tonë. Cilado rrugë që të zgjidhet, është krejtësisht në rregull”, tha ajo.

Osmani foli edhe për kryeministrin Albin Kurti, me të cilin theksoi se ka “raport institucional”.

“Kemi raport të mirë, kemi raport institucional, bashkëpunojmë për çështje në interes të Kosovës, kështu do të jetë edhe tutje. Pres mbështetje nga të gjithë deputetët dhe partitë që ia duan të mirën Kosovës”, u shpreh presidentja.

Ndër të tjera, ajo tha se do të vazhdojë të shërbejë me mundësinë që “do t’ia japë populli i Kosovës”, nëse nuk arrin të bëhet presidente edhe për një mandat të dytë.

“Ne jemi të fokusuar te vazhdimi i punëve të mira në kuadër të presidencës, por nëse vullneti i deputetëve do të jetë ndryshe, unë jam e bindur se Kosova dhe populli i Kosovës do të na japin mundësinë të shërbejmë në një mënyrë që do ta përcaktojë vetë qytetari i Kosovës”, tha Osmani.

Theksojmë se në media është raportuar se Osmani po tenton ta sigurojë edhe mandatin e dytë si presidente e vendit. Kryeministri Kurti, i cili javën e kaluar nisi mandatin e ri, u raportua se i ka thënë presidentes Osmani që t’i sigurojë 30 nënshkrime dhe, pas kësaj, ai do t’ia garantojë votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Theksojmë se mandati aktual i Osmanit përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet nga Kuvendi deri më 4 mars.