Osmani dhe ambasadori suedez nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian. Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani, Ambasadori Westerlund, dhe drejtori ekzekutiv…

Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani, Ambasadori Westerlund, dhe drejtori ekzekutiv i Balkan Policy Research Group, Naim Rashiti, kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.
Po ashtu gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.
“Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/