Osmani dekoron nënat e Srebrenicës me medalje presidenciale

Nënat e Srebrenicës janë dekoruar me medalje presidenciale nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.   Ajo gjatë ceremonisë përmendi që në Srebrenicë u masakruan më shumë se 8 mijë burra e fëmijë nga forcat gjenocidale të Millosheviqit. Osmani përmendi të…

Lajme

02/06/2025 14:33

Nënat e Srebrenicës janë dekoruar me medalje presidenciale nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

 

Ajo gjatë ceremonisë përmendi që në Srebrenicë u masakruan më shumë se 8 mijë burra e fëmijë nga forcat gjenocidale të Millosheviqit.

Osmani përmendi të zhdukurit nga kjo luftë, duke theksuar se nënat nuk kanë varre për bijtë e bijat e tyre. Por, ajo tha se ato kanë gjetur kurajo, njësoj sikurse nënat e Kosovës.

“Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin. Më çdo fotografi që e keni mbajtur në duart tuaja ju keni ruajtur kujtimin e gjallë. Të dashura nëna të Srebrenicës gjatë mandatit tim si presidente kam nderuar shpeshherë nënat e Kosovës që kanë shndërruar dhimbjen e tyre në forcë dhe asnjëherë nuk heshtën për të kërkuar drejtësi për fëmijët që humbën gjatë luftës. Sot kam nderin në emër të gjithë qytetarëve, në bazë të kompetencave kushtetuese që kam, nënave të Srebrenicës të ua dhuroj Medaljen Presidenciale për Shërbim”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq përfaqësuesja e nënave të Srebrenicës ka thënë se kanë paraqitur të vërtetën para botës.

“Kemi luftuar për rezoluta në Asamblenë e Kombeve të Bashkuar që është shumë me rëndësi që gjenocidi të mbahet në mend. Nëse kam mbetur pa birin tim,… nuk kam mbetur pa krenari. I kemi hapur sytë e gjithë botës ndaj dinjitetit tonë njerëzor”, ka thënë ajo.