Osmani anulon pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ajo për këtë konferencë ishte e ftuar, por që për shkak të angazhimeve institucionale e ka anuluar pjesëmarrjen, shkruan lajmi.net. Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina. “Presidentja e Republikës…

Lajme

12/02/2026 10:27

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ajo për këtë konferencë ishte e ftuar, por që për shkak të angazhimeve institucionale e ka anuluar pjesëmarrjen, shkruan lajmi.net.

Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Munich, për çka është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve. Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, ka thënë Kupina.

Në këtë konferencë, nga 13 deri më 15 shkurt, do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Në këtë forum prestigjioz ndërkombëtar pritet të mblidhen qindra udhëheqës botërorë, përfaqësues të lartë shtetërorë, diplomatë, ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti do ta përfaqësojë Kosovën në diskutimet që do të zhvillohen rreth sfidave globale të sigurisë, me theks të veçantë në zhvillimet në Evropë, luftën në Ukrainë, stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e bashkëpunimit transatlantik. Pjesëmarrja e tij në këtë konferencë vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë evropiane dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/