Osmani alarmon për pasojat e shtrenjtimit të rrymës: Në kundërshtim me kornizën ligjore, mund të sjellë valë të re inflacioni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të kundërligjshme dhe të dëmshme për qytetarët. Përmes një njoftimi, Presidenca ka bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative mbi përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka…

Lajme

28/03/2025 16:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të kundërligjshme dhe të dëmshme për qytetarët.

Përmes një njoftimi, Presidenca ka bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative mbi përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të ishte në kundërshtim me kornizën ligjore, e cila e obligon ZRRE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Sipas këtij institucioni, rritja e çmimit të energjisë, e cila në katër vitet e fundit ka arritur një rritje kumulative prej 126%, do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, duke shkaktuar një valë të re inflacioni.

“Gjatë viteve 2022 dhe 2023, kur çmimi i energjisë u rrit ndjeshëm, çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazike gjithashtu u rritën në mënyrë drastike. Kostoja e jetesës është bërë më e rëndë për qytetarët, veçanërisht për ata me të ardhura më të ulëta”, thuhet tutje në njoftim.

Presidenca thekson se nuk mjafton të krahasohet çmimi i energjisë në Kosovë me atë në rajon, pa marrë parasysh fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të ardhurat mesatare.

Në vend të shtrenjtimit të energjisë, Presidenca kërkon nga ZRRE-ja që fillimisht të përqendrohet në monitorimin e menaxhimit të energjisë nga KEK-u dhe të rrisë efikasitetin në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë.

“Rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opsioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por duhet të kërkohen zgjidhje më të balancuara dhe të qëndrueshme”, thekson Presidenca.

Ndryshe, nga muaji prill, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15%. Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa pas shtrenjtimit pritet të arrijë në 8.96 centë.

ZRRE-ja ka paralajmëruar se rritja e tarifave është e pashmangshme për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë nga importet me çmime të larta.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli dhe do të vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.