Osmani: Agim Veliu nuk u përfshi në listën e LDK-së pasi nuk u nominua nga dega e Podujevës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Besnik Osmani, ka deklaruar se ish-ministri Agim Veliu nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të partisë për zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk ka pasur nominim nga dega e LDK-së në Podujevë, ku ai ka bazën. Osmani theksoi se personalisht do të dëshironte ta shihte Veliun…

Lajme

10/12/2025 18:34

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Besnik Osmani, ka deklaruar se ish-ministri Agim Veliu nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të partisë për zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk ka pasur nominim nga dega e LDK-së në Podujevë, ku ai ka bazën.

Osmani theksoi se personalisht do të dëshironte ta shihte Veliun në listë, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në LDK dhe në shtet.

“Procedura është e tillë që nominimet për kandidaturat për deputetë në LDK vijnë nga degët. Me aq sa kam kuptuar, nuk ka pasur një nominim të tillë nga dega e Podujevës, dhe rrjedhimisht procesi ka përfunduar pa e pasur atë në listën finale. Sa i përket mendimit tim personal, unë do të doja ta shihja Veliun në listë. Ai ka qenë deputet në disa mandate, ka qenë ministër dhe ka dhënë një kontribut jetësor jo vetëm për LDK-në, por edhe për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës,” tha Osmani.

Ai shtoi se pret që Veliu të vazhdojë kontributin në LDK dhe të ndihmojë rritjen e partisë në zgjedhjet e ardhshme.

Osmani komentoi edhe reagimin e Veliut pas mospërfshirjes në listë, duke mohuar zërat për përçarje brenda partisë.

“Nuk besoj se kjo ka të bëjë me përçarje. LDK ka shumë më shumë njerëz nga sa përfshin lista prej 110 kandidatëve. Kjo është një mundësi për këta 110 emra, por strukturat e LDK-së shkojnë shumë përtej kësaj liste,” u shpreh ai.

Po ashtu, Osmani hodhi poshtë pretendimet se Veliu nuk është përfshirë për shkak të frikës së kreut të partisë, Lumir Abdixhikut, se mund t’i lëkundet pozita.

“Jo, besoj se këto hynë në terren spekulativ. Ajo që më bën të jem në LDK është demokracia e brendshme, debati, kolegialiteti dhe përkrahja që ekziston brenda strukturave të partisë. Nuk besoj se ka rast tjetër ku këto gjëra shihen më qartë,” tha Osmani./teve1