OSHP-ja shfrytëzon gjendjen alarmante të pandemisë, i hapë rrugë ministrisë që të nënshkruajë tender të kundërligjshëm
Duke e shfrytëzuar kohën e pandemisë, në mënyrë që të mos bëhet shumë zhurmë, Organi Shqyrtues i Prokurimit ia ka bërë një favor Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit.
Lajme
Pas shumë muajsh zvarritjeje, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do të mund të nënshkruaj kontratën për “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”. Kjo pasi, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur që të marrë vendim në favor të ministrisë për këtë tender të cilin e mbajti në gjykim disa javë.
OSHP-ja hodhi poshtë ankesat e dy konzorciumeve “2A Group &2T” dhe “Sallahu” & “Groma Hold”, dhe lejoi ministrinë që të nënshkruaj kontratë me kompanitë që ishin rekomanduar për kontratë e të cilat janë rreth 2 milionë euro më të shtrenjta se kompanitë ankuese.
Tenderi është i darë në dy pjesë dhe OSHP-ja vendosi që të mos të merret për bazë ankesa e kompanive “Sallahu” & “Groma Hold”, për lot 2, me të vetmen arsyeje se: “ky konzercium nuk e ka dërguar kërkesën për rishqyrtim me pretendimet ankimore te Autoriteti kontraktues edhe pse e ka ngarkuar, por nuk ka klikuar butonin Dërgo që të mbërrijë tek autoriteti kontraktues, por e ka ngarkuar dhe e ka klikuar butonin Dërgo vetëm kërkesën pa pretendime ankimore”.
Lajmi.net ditë më parë, duke u thirrur në burimet e veta brenda KRPP-së ka raportuar se ekziston një kërkesë në KRPP e dërguar në help-desk të KRPP-së si kërkesë për rishqyrtim me pretendime ankimore të ngarkuara nga konzorciumeve. Vetë eksperti i OSHP-së në raportin tij ka shkruar se ekziston një ankesë e parashtruar, sipas ligjit.
Sido që të jetë, OSHP-ja duke u thirrur vetëm në këtë problem teknik e ka lejuar MIA-n që të nënshkruaj kontratë për lot 2 me kompaninë “Papenburg & Ardiani”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani ka qenë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më të lirë sesa oferta fituese.
Ky është vendimi i dytë që OSHP-ja nxjerr për këtë lëndë, herën e parë i kishte dhënë të drejtë, kompanive”A2Group”. “Sallhu”, e disa tjerave. Pra, ishte gjetur se krahasimi i tenderëve nuk ishte bërë si duhet dhe se kompanitë fituese në disa pika kanë qenë të pa përgjegjshme. Andaj e kishte urdhëruar MIA-n që lënda të kthehet në rivlerësim. Tash pas rivlerësimit, pretendimet ankimore të kompanisë “Sallahu” nuk janë marr parasysh, shumica e të cilave kanë të bëjnë lidhur me atë se kompanitë e rekomanduar për kontratë janë të pa përgjegjshme.
Ndërkohë, në rivlerësimin e fundit OSHP-ja e ka shqyrtuar ankesën e kompanisë “A2 group”. Kjo kompani kishte kundërshtuar vetëm pretendimet e ministrisë në pikat që e kishte shpallur të papërgjegjshme, dhe nuk kishte shtruar pika ankimore kundër kompanive të shpallura fituese. OSHP-ja ka vlerësuar se kjo kompani ka qenë e papërgjegjshme në disa pika, ashtu siç kishte konstatuar prokurimi i ministrisë.
Fitues të tenderit për lot 1 janë shpallur kompanitë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” me vlerë të kontratës prej 7,849,716.18 eurove. Kompania “A2 group” ka qenë më e lirë mbi 1 milionë euro për këtë lot.
Lajmi.net ditë më parë ka raportuar se ky tender është duke u hetuar nga hetuesia. /Lajmi.net/