“OSHP-ja, institucion i kapur” – Murati me të njëjtën narrativë ia hedh fajin opozitës për pezullimin e një tenderi që diskriminonte kompanitë vendore

Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në termocentralin “Kosova A”, me vlerë mbi 137 milionë euro, është pezulluar një ditë para afatit për dorëzimin e ofertave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Ky zhvillim pritet të sjellë vonesa të tjera në punimet e planifikuara në sektorin energjetik. Në vend që të adresojë problemet…

Lajme

04/07/2025 14:06

Tenderi për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në termocentralin “Kosova A”, me vlerë mbi 137 milionë euro, është pezulluar një ditë para afatit për dorëzimin e ofertave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Ky zhvillim pritet të sjellë vonesa të tjera në punimet e planifikuara në sektorin energjetik.

Në vend që të adresojë problemet e brendshme dhe dështimet e njëpasnjëshme të menaxhimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka zgjedhur të hedhë fajin tek opozita. Përmes një postimi në Facebook, Murati e quajti OSHP-në “institucion të kapur nga opozita”, duke sugjeruar se pezullimi është rezultat i një sabotimi politik.

“Sa herë që KEK-u tenton të regjenerojë kapacitetet, disa nga opozita mobilizohen me të gjitha institucionet e kapura që të pengojnë çfarëdo pune që do rriste sigurinë e furnizimit”, ka shkruar Murati, duke përmendur se tenderi është pezulluar me arsyetimin se përmbante kritere diskriminuese ndaj kompanive vendore, transmeton lajmi.net

Murati nuk ngurroi të përmendë edhe emra të caktuar nga opozita, duke akuzuar hapur deputeten Hykmete Bajrami për “sulm” ndaj ndërmarrjes që nga dita e parë. Megjithatë, kritika të tilla po shihen si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga rezultatet e dobëta në sektorin energjetik muajve të fundit.

Nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti dhe me Muratin si një nga figurat kyçe në menaxhimin e resurseve publike, KEK-u ka pasur një sërë pengesash dhe zvarritjesh në projekte kyçe.

Për të gjitha këto, Murati ka ndjekur të njëjtën narrativë: fajin e ka opozita, jo vetë qeverisja. Kjo qasje po shihet nga një pjesë e opinionit si mungesë e përgjegjësisë dhe si përpjekje për të fshehur mungesën e rezultateve konkrete në sektorin më jetik për vendin – energjinë.

Në vend që të ofrojë një plan të qartë për tejkalimin e krizës së zvarritur në KEK, Murati vazhdon me akuza politike dhe përpjekje për t’u paraqitur si viktimë e një “sabotimi opozitar”, ndërkohë që qytetarët mbesin me mungesë transparence dhe pasiguri për të ardhmen energjetike të vendit./lajmi.net/