“Ose Qeveria Kurti me minoritetet, ose Qeveria e Opozitës”- Ja çfarë parashikojnë analistët pas zgjedhjeve të 9 shkurtit

Kosova përfundoi me sukses procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. KQZ po shkon drejt përfundimit të procesit të numërimit të votave, kurse rezultatet preliminare pozicionojnë të parën Lëvizjen Vetëvendosje me 40,84% të votave, pasuar nga PDK me 22.05% të votave, LDK si e treta me 17.67% të votave, kurse koalicioni AAK-Nisma kalon…

Lajme

13/02/2025 18:26

Kosova përfundoi me sukses procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

KQZ po shkon drejt përfundimit të procesit të numërimit të votave, kurse rezultatet preliminare pozicionojnë të parën Lëvizjen Vetëvendosje me 40,84% të votave, pasuar nga PDK me 22.05% të votave, LDK si e treta me 17.67% të votave, kurse koalicioni AAK-Nisma kalon pragun zgjedhor me 7.45 përqind të votave.

Bazuar në këto rezultate, asnjë nga subjektet politike nuk mund të formojnë qeverinë e ardhshme pa koalicion pas zgjedhor, por diçka mund të ndryshojë nëse LVV arrin të performojë mirë si në zgjedhjet e kaluara në kuadër të votave të diasporës.

Nëse Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje marrin mbi 75% të votave të diasporës sipas përllogaritjeve të ndryshme, atëherë partia e tij do të kishte 51 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe duke bërë ndonjë marrëveshje me minoritetet Kurti do mund të formonte qeverinë e re.

E një opsion tjetër në publik është që opozita të bëhen bashkë e në vend të mundësohet qeverisja me një bashkim opozitar.

Analistët politikë kanë komentuar gjendjen aktuale pas rezultateve preliminare dhe mundësinë e krijimit të qeverisë së re.

Halil Matoshi ka deklaruar për lajmi.net se partitë opozitare kanë mundësinë të formojnë qeverinë e re pa Vetëvendosjen, duke qenë se kanë 53 mandate të fituara nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Sipas këtij rezultati Qeverinë e re të Kosovës mund ta krijojë opozita e bashkuar sepse ka 53 mandate kundrejt partisë fituese që ka 47 mandate. Një qeveri e opozitës do ta merrte mbështetjen edhe të SHBA-së”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, analistja politike, Magbule Sadriu Shkodra për lajmi.net analizoi mundësitë e partive politike për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

Sipas Shkodrës edhe nëse LVV arrin të krijojë qeverinë me minoritete, kjo qeveri do ishte e dobët dhe se vendi do shkonte në zgjedhje menjëherë pasi të vie koha e zgjedhjes së presidentit.

“Duhet të flas në mënyrë hipotetike pasi nuk kemi rezultatet përfundimtare. Nëse Lëvizja Vetëvendosje, arrin ta formojë qeverinë, do jetë qeveri me minimumin e kërkuar prej 61 votash. Pra besoj që LVV do krijojë qeverinë me minoritetet jo-serbe, dhe nëse Lista Serbe ka marrë vetëm 9 mandate dhe një ulëse ashtu siç po thuhet e ka fituar Nenad Rashiq, atëherë ndoshta edhe mund ta bëjë qeverinë Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nëse bëhet kjo qeveri, kjo qeveri do jetë shumë fragjile, pasi ka shumë marrëveshje që duhet të kryhen dhe që nevojiten 2/3 e votave dhe do t’i mungojnë. Megjithatë nëse e formon qeverinë deri në momentin kur vie koha për presidentin e ri, atëherë mund të shkojmë përsëri në zgjedhje”, tha fillimisht Shkodra.

Tutje, Shkodra thotë se një qeveri e opozitës do të ishte më stabile për Kosovën.

“Rasti i dytë sa i përket partive që janë në opozitë, nëse në bazë të rezultatit final arrijnë me minoritetet të krijojnë qeverinë, atëherë do ishte e mirë që ato të marrin përgjegjësinë dhe të krijojnë qeverinë që Kosova të mos mbetet në ngërç politik dhe poashtu në bazë të asaj që po ndodh në botë në situatën gjeopolitike, Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa udhëheqës, pa kryeministër dhe pa qeveri. Apeloj drejt partive politike që të mos barrikadohen dhe të thonë që do të mbesin në opozitë dhe pse ne kemi dy parti që e kanë bërë të qartë se janë për të bashkëpunuar, ende presim deklarimin e qartë të LDK-së. I ftoj partitë që të marrin përgjegjësi dhe të dëshmojnë që gjithë ai besim që iu dha nga qytetarët nuk është vetëm për pushtet, por se ata kanë prioritet shtetin e Kosovës dhe të shtyjnë para proceset politike”, shtoi ajo.

Shkodra potencon se partitë politike duhet të mendojnë në mënyrë objektive dhe të shohin interesat e Kosovës si interesa parësore.

“Ka disa diskutime, që nëse Kurti mbetet në opozitë ai do të vazhdojë opozitë-bërjen ashtu siç ka bërë në të kaluarën me kundërshtime, mirëpo mendoj se nëse opozita arrin ta formojë qeverinë, duhet të punojë shumë mirë për Kosovën dhe nuk besoj që tani kur të vie momenti i zgjedhjes së presidentit edhe nëse shkojmë përsëri në zgjedhje ata do të ndëshkohen nga votuesi. Pra të mos hezitojnë që për këto arsye të cilat për mua nuk janë të pranueshme, sepse mendoj që mbi të gjitha duhet të jetë shteti i Kosovës dhe jo të mendohet për vota”, përfundoi ajo për lajmi.net.

Kujtojmë se KQZ ka filluar procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë.

Deri më tani nga KQZ-ja janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike. Renditja e partive politike vazhdon të jetë e njëjtë, por me përqindje të ndryshme.

Dikur Vetëvendosje mblodhi mbi 51% të votave , kurse këtë herë qëndron me 40% pa llogaritur ato nga diaspora deh votat me kusht. PDK-ja arriti të ketë një ngritje mjaftë të madhe, kurse LDK-ja anipse pati ngritje vazhdon të ketë 17% të votave.

AAK-Nisma edhe këtë herë kanë kaluar pragun, por me një përqindje jo shumë të lartë.

Komisioni Qendror Zgjedhor prej dy ditësh ka nisur edhe numërimin e votave për kandidatët për deputet. Mbetet të shihet se kush do të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, për katër vitet e ardhshme nëse nuk do të duhet të mbahen edhe një palë zgjedhje në vendin tonë./Lajmi.net/