OSBE kundër përjashtimit të Listës Serbe: Cenon pluralizmin dhe besimin në institucione
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale, duke theksuar se përjashtimi i aktorëve politikë dëmton pluralizmin demokratik dhe ul besimin e qytetarëve në institucione. Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, OSBE-ja nënvizon se “e drejta për të marrë…

Lajme
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale, duke theksuar se përjashtimi i aktorëve politikë dëmton pluralizmin demokratik dhe ul besimin e qytetarëve në institucione.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, OSBE-ja nënvizon se “e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është shtyllë themelore e qeverisjes demokratike dhe një element thelbësor i jetës politike gjithëpërfshirëse.”, transmeton lajmi.net
Më tej, Misioni thekson rolin e rëndësishëm që KQZ-ja ka luajtur ndër vite në ngritjen e standardeve zgjedhore në Kosovë, por shpreh shqetësim se vendime si ky i fundit, që çojnë në përjashtime të subjekteve politike, “zbehin mundësinë që të gjitha komunitetet të përfaqësohen drejtësisht” dhe ndikojnë negativisht në përfaqësimin gjithëpërfshirës.
OSBE-ja thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe të mirëfilltë të të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor, si bazë për “qëndrueshmëri demokratike afatgjatë, integritet dhe stabilitet”.
Misioni po ashtu njofton se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e mëtejme, përfshirë edhe procedurat ligjore që mund të ndodhin nëpërmjet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), si përgjigje ndaj vendimit për të mos e certifikuar Listën Serbe.